Lekaj: Me LDK-në jemi marrë vesh që të ndërtohet autostrada e Dukagjinit
BKT
Lajme

Lekaj: Me LDK-në jemi marrë vesh që të ndërtohet autostrada e Dukagjinit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qartësuar të gjitha detajet për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), edhe pse janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentit për mandatarin e Qeverisë së re.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se e mirëpresin çfarëdo vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Marrëveshja ka përfunduar mes LDK-së dhe AAK-së e NISMA-s dhe minoriteteve. Ajo që është në fokus tonin është luftimi i pandemisë, dialogu me Serbinë si dhe zhvillimi ekonomik pas mbarimit të pandemisë. Ne kemi unifikuar gjithë programin qeverisës, po sa të formohet qeveria do të kemi një start pozitiv”

“Po e presim Gjykatën Kushtetuese që është organi më i lartë juridik i vendit. Për çdo palë duhet të pranohet aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ne si AAK do të pranojmë çfarëdo vendimi sepse i kemi besuar në çdo kohë dhe prapë do ti besojmë. I ftojmë të gjitha palët që të jenë korrekt nga çfarëdo vendimi që vjen”, u shpreh Lekaj.

Ish-ministri i Infrastrukturës, theksoi se në këtë Qeveri do të ketë ndërtime të autostradave pavarësisht dallimeve që kanë më LDK-në për këto projekte.

Ai tha se janë dakorduar që Autostrada e Dukagjinit të përfundojë në këtë qeverisje, ndonëse ky projekt u ndërpre nga Qeveria në detyrë, përkatësisht ministri Lumir Abdixhiku, që vije nga LDK-ja.

“Programi sa i përket zhvillimit të infrastrukturës do të jetë prioritet i AAK-së, jemi dakorduar por jo në këtë buxhet për shkak situatës, por që në qeverisjen të këtij mandati patjetër që do të zë vend edhe autostrada e Dukagjinit dhe infrastruktura në përgjithësi”, tha ai.

Lekaj ka folur edhe për ministritë e caktuara për Qeverinë e re në ardhje, nga të cilat tha se nuk ka menduar që të jetë ministër në këtë mandat, pasi siç tha ai ka përfunduar obligimin e tij në shumë projekte infrastrukturore, e që tani do të jetë i fokusuar si deputet.

 


MË SHUME NGA Lajme