Sonte mbahet gjysmëfinalja e parë e “Eurovision 2020”

Sonte mbahet gjysmëfinalja e parë e “Eurovision 2020”

Festivali më i madh i muzikës “Eurovision 2020”, i cili parashihej të mbahej në Roterdam, u anulua për shkak të frikës së përhapur nga coronavirusi.

Megjithatë, në vend të “Eurovision Song Contest 2020”, organizatorët do të sjellin për fansat “Eurovision: Europe Shine A Light”, shfaqje kjo që do të transmetohet në 46 vende të botës dhe do të bëjë bashkë audiencën e gjithë Evropës.

Spektakli do të drejtohet nga prezantuesit holandezë të Eurovisionit, Chantal Janzen, Edsilia Rombley (Eurovision 1998 dhe 2007) dhe Jan Smit.

Festivali madhështor do të nisë premierën e tij në kanalin e “Eurosong” në YouTube sot (gjysmëfinalja e parë) dhe të enjten (gjysmëfinalja e dytë).

EBU po ashtu do të bashkojë fansat e Eurovisionit në një kor virtual, të cilët do të interpretojnë “What’s Another Year” nga Johnny Logan.

Spektakli ndër tjerash do të nderojë 41 këngët pjesëmarrëse në një format më ndryshe jokonkurrues, por që pritet të ketë edhe surpriza të shumta.

Ndërkohë, artistja Arilena Ara sivjet do të përfaqësonte Shqipërinë në “Eurovision 2020” me projektin e titulluar “Fall From The Sky” që në shqip ishte “Shaj”, por që tani raportohet se do të këndojë në gjysmëfinalen e dytë.

Kënga mbrëmë u kompletua edhe me videoklip me një paraqitje e performancë të veçantë të këngëtares nga Shkodra.

Për të gjithë adhuruesit e festivalit, në Shqipëri “Eurovision: Europe Shine A Light” do të transmetohet nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), teksa në Kosovë nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).