Artistët kosovarë kundër shembjes së teatrit kombëtar

Artistët kosovarë kundër shembjes së teatrit kombëtar

Artistë e qytetarë të shumtë po dënojnë dhe po e quajnë të pafalshme shembjen e objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Shembjen e kësaj godine mëngjesin e hershëm të së dielës, po e konsiderojnë edhe ‘rrënim’ të përjetimeve, lotëve, e provave që një jetë të tërë ia kushtojnë aktorët.

Në shenjë solidariteti me protestat në Tiranë, pas shembjes së objektit të Teatrit Kombëtar, Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka organizuar një aksion simbolik.

Me thirrjet “Muret i shembët, por jo Teatrin”, “Unë jam Teatri”, të dielën para Teatrit Kombëtar në Prishtinë dhjetëra qytetarë e artistë për më shumë se 10 minuta kanë qëndruar me pankartat në duar, duke respektuar distancën fizike, në shenjat e kuqe që janë bërë te sheshi “Skënderbeu”, në kryeqytet.

Aktorja e njohur shqiptare, Melihate Qena tha për KosovaPress se ka nevojë që jo vetëm një teatro të ndërtohet, por që sipas saj nuk duhet të rrënohet e kaluara, dhe ‘përjetimet’ e aktorëve.

“Një teatër thonë e mbyll një burg, pse mos të ndërtohet. Por jo në dhembjen e dikujt, në lotët e dikujt, aty ka me mijëra përjetime, aty janë jetët e njerëzve. Kanë shkuar si 18-vjeçar kanë dalë 80 e kusur vjeçar. Dhe ende luajnë, dhe tash ti të vish me një buldozer dhe ta rrënosh. E rëndon kujtimin, e rëndon dhembjen, drithërimin, gjithë ato prova dhe ajo punë që u bë sot. Kjo është e pafalshme… Ky është krim që me ta bo dikush i huaji thua i huaji ma ka bërë edhe nuk kam çfarë të bëjë dhe çohesh lufton”, tha Qena.

Ajo shprehet e revoltuar për atë që ka ndodhur sot në Tiranë, duke thënë se populli shqiptar duhet të dijë se ku ka luajtur Ndriçim Xhepa, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Yllka Mujo e shumë aktorë tjerë të njohur shqiptarë.

“Ata që e kanë shembur teatrin, nuk e kanë shembur teatrin, por vetën. Edhe unë po çuditem me këta shqiptarë çfarë është puna e shqiptarëve. Secila garniturë që vjen mendon që prej tij fillon gjithçka. Shembe atë të vjetrën, e hajde diçka të re. Në krejt botën ruhen me xhelozi edhe teatrot e vjetra edhe rrugët, edhe kafenetë. Sepse nuk është kjo periudhë vetëm për ne, është për nipat tanë, për mbesat, për gjeneratat e ardhshme”, shprehet ajo.

Dhjetëra aktivistë e artistë janë arrestuar sot dhe dërguar në stacionin policor mëngjesin e sotëm, duke përfshirë edhe gazetarë në Tiranë.

Aktori Armend Baloku tha se duhet të respektohet vullneti i artistëve, e jo të tërhiqen zvarrë ashtu siç ka ndodhur.

“Nëse ka pasur vullnet që të ndërtohet një Teatër i ri Kombëtar, atëherë ka pasur mundësi, në një ambient tjetër të Tiranës. Unë thjesht kam dalë që t’i bëj thirrje institucioneve atje, në këtë rast policisë, por edhe vetë pushtetit që të trajtohet artistët si duhet. Sepse artisti është ai që e mbron kulturën e një vendi, e në këtë rast e mbron edhe kulturën shqiptare, pra të gjithë neve. Ata janë gjysma jonë, një gjysmë jemi këndej, dhe ne e bëjmë bashkë përfaqësim apo mbrojtjen e kulturës kombëtare shqiptare. Është dashur t’i trajtojnë si duhet dhe jo në këtë mënyrë”, shprehet ai.

Ndërsa, dramaturgu Jeton Neziri tha se aksioni i sotëm simbolik është mbajtur në shenjë solidarizimi me artistët që kanë mbrojtur kauzën e teatrit në Tiranë.

“Nuk mund të shembet dhe nuk mund të zhbëhet në mënyrën se si e projektuan ata sot. Pra, në këtë mënyrë ata kanë bërë përpjekje, në të vërtetë kanë bërë një sulm të demokracinë e brishtë atje. Por, siç e pamë edhe prej reagimeve këtu, ideja e teatrit është e gjallë, dhe është e gjallë sepse teatri ekziston tash e sa mijëra vjet. Dhe e di që do të triumfojë ideja e teatrit, pra e teatrit si rezistencë ku projektohen problemet e shoqërisë edhe ku kritikohet sidomos pushteti i keq, si ky që kemi tash në Shqipëri”, tha Neziri.

Në shenjë solidarizimi kundër shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë”, Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren, Teatri “Adriana” – Ferizaj”, Teatri “Muharrem Qena” – Mitrovicë, Qendra Multimedia”, “Teatri Oda”, Teatri “Urban”, “Etno Teatri – Kukaj”, kanë anuluar shfaqjen “Skënderbeu ose dashuri dhe liri”, e cila ka qenë e planifikuar në kuadër të kalendarit online.