Mësimi online do të vazhdojë edhe në shtator përmes të mësimit të kombinuar
Albana Karaj
Mësimi online do të vazhdojë edhe në kushtet normale gjatë vitit të ardhshëm shkollor.
Nga shtatori mund të fillojë mësimi i kombinuar, ku pritet të bëhet të digjitalizim i kurrikulës arsimore. Ndërkohë, ekspertët thonë se arsimi në Kosovë duhet të vazhdojë ta shfrytëzojë teknologjinë për punën në klasë, për detyrat e shtëpisë dhe shumë gjëra të tjera.
Drejtues të Ministrisë së Arsimit, thonë se mësimi i organizuar në distancë ka qenë më i mirë se sa është menduar. Zëvendësministri i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë për Radio Kosovën, se mësimi online do të vazhdojë edhe në shtator përmes të mësimit të kombinuar.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se është parë që gjatë kësaj periudhe, nxënësit dhe mësimdhënësit e Kosovës kanë një nivel të kënaqshëm të kompetencës digjitale. Ai theksoi se arsimi në Kosovë duhet të vazhdojë ta shfrytëzojë teknologjinë edhe në kushtet normale të mësimit.
Ndërkohë, drejtoritë komunale të arsimit janë angazhuar në digjitalizimin e shkollave. Komuna e Prishtinës është duke e bërë digjitalizimin, që do të mundësojë menaxhimin e shkollave në mënyrë digjitale, ku është iniciuar edhe platforma “e-shkollori”. Platforma elektronike "e-shkollori" është e dizajnuar dhe e zhvilluar për menaxhimin dhe administrimin e institucioneve edukative e arsimore në këtë komunë. Kompetenca digjitale, është një nga tetë kompetencat që i definon Bashkimi Evropian, si kompetenca që i nevojiten njeriut për të mësuar gjatë gjithë jetës.























