Blegtoria një sektor me potencial në Kosovë
BKT
Lajme

Blegtoria një sektor me potencial në Kosovë

Mejreme Tahirukaj

Pasojat që ka shkaktuar pandemia Covid-19, ka goditur në masë të madhe bujqësitë në Kosovë.

Megjithatë, sektori i blegtorisë ka vazhduar të funksionojë, pavarësisht masave restriktive të vendosura nga Qeveria. Fermerët thonë se gjatë kohës së pandemisë nuk kanë pasur probleme për dorëzimin e qumështit nëpër pika grumbulluese, sepse iu kanë përmbajtur masave mbrojtëse.

Blegtoria, padyshim që është një sektor me potencial në Kosovë. Në kohën, kur e tërë bota përballet me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi, ky sektor ka vazhduar të funksionojë më mirë, për dallim nga sektorët e tjerë të bujqësisë. Blegtori Shefqet Sadrija, nga fshati Brovinë i Gjakovës, thotë se gjatë periudhës së pandemisë, i është përmbajtur masave të sigurisë dhe se nuk ka pasur problem për plasimin e qumështit dhe mishit. Ai thekson se çmimi i qumështit ka qenë i njëjtë sikur edhe para pandemisë. Por, për dallim prej viteve të tjera, sivjet nuk kanë përfituar subvencione.

Edhe blegtori Nijazi Sadrijaj, i cili ka 5 krerë lopë, thotë se gjatë kohës së pandemisë qumështorja ka qenë dy javë e mbyllur. Por, ai shton se qumështin e ka shitur nëpër fshat dhe produktet e qumështit i kanë përdorur për nevoja familjare. Aktualisht, siç thotë blegtori Njazi Sadrijaj, qumështorët e grumbullojnë qumështin nga 28 centë për litër.

Sipas të dhënave të Odës Veterinare të Kosovës, vendi ynë zhvillimin më të hovshëm të blegtorisë e kishte në vitet e 60-ta. Ndërkohë që tani, importon sasi të mëdha të mishit dhe produkteve të tjera bujqësore. Importi është rritur për shkak të numrit të pamjaftueshëm të kafshëve. Për nga numri, aktualisht Kosova ka më shumë gjedhe, dele dhe pula.


MË SHUME NGA Lajme