Rexhep Hoti: Shkrimi është magjia ime e jetës
BKT
Kulturë

Rexhep Hoti: Shkrimi është magjia ime e jetës

Vepra “Kambana e Heshtjes”(Il campanàheshtjes”(La campana del silenzio) e shkrimtarit Rexhep Hoti është botuar në gjuhën italiane dhe është në shitje nëpër libraritë italiane, si dhe kudo tjetër në botë nëpërmjet faqeve online.

Së fundmi, autori Hoti është intervistuar edhe nga mediat italiane që kanë treguar interes për veprën e autorit kosovar.

Radio Televizioni i Kosovës ju sjellë intervistën e plotë të përkthyer në gjuhën shqipe. 

Doni të na thoni si arritët në publikimin e këtij libri?
Hoti: Botimi i librit në italisht ishte meritë dhe vlerësim e përkthyesit tim të nderuar, Ndue Lazri. Ndoshta, duke qenë edhe ai poet, e kishte më të afërt aventurën e një nisme të tillë. Dhe unë nuk kisha frikë të pajtohesha me të. Insistimi i tij për përkthimin e vëllimit poetik në tërësi ishte një befasi shumë e bukur për mua, që nuk ia thashë kurrë. Mendoj se ai e bëri këtë punë me frymëzim. Personalisht nuk e kam provokuar veten me hyrjen e poezisë sime te vendi që e mban pjesën dërrmuese të kulturës dhe të qytetërimit Perëndimor. Jo pse desha të isha modest. Mbase nga bukuria e ndodhisë. Dhe një ditë befas lexoj përgjigjen e shtëpisë botuese “KIMERIK”, njëra prej më të respektuarave në Itali. Ishte ndjenjë shumë e bukur. Dhe nëse me lejohet, dua t’i përcjell një falënderim!
 
Kur dhe si ka lindur “Kambana e heshtjes”?
Hoti: Rrugëtimi i një libri për mua është si vetë jeta. Brenda saj ka botë me emocione, kreativitet, dhimbje jo rrallë herë. Ajo që më ndiqte si një sfond i pashfaqur ishte dëshira të arrija një vëllim poetik që në vetvete e provon sfidën e zbërthimit të kufijve të kohës dhe hapësirës në raport me jetën e njeriut, me origjinalitetin e tij. Stinët e librit “Kambana e heshtjes” janë, për mua, rebele. Ato, pa respekt ndaj Kushtetutës së Njerëzimit, provojnë në mënyrë metaforike një gjithësi pak më tutje. Në këtë gjendje të krijimit shpirtëror lindi “Kambana”. Veçantia e saj është liria absolute e krijimit, por duke qene besnike ndaj jetës poetike. Ajo është trungu dhe rrënja brenda së cilës shpërthen emocioni, mendimi, gjëmimi i saj. Ky vëllim poetik më lindi në disa kontinente, në qiell, në parahistori. Diku prapa gjithësisë apo edhe të buzëkuqi i një femre. Më lindi në dhimbjet e moshës!
 
Vazhdoni të shkruani? Keni projekte të tjera në sirtar?
Hoti:- Shkrimi, që poetët e përkufizojnë si krijim, është magjia ime e jetës. Ajo është absolute në raport me unin dhe shpirtin tim. Jam në përfundim të një vëllimi tjetër poetik me titull “Jam diell në Perëndim”. Por, projekti që ndoshta është duke më dërmuar është romani ende i papërfunduar mbi relacionet e një diktatori dhe një gjeniu...
 
Tani disa pyetje me karakter personal. Çfarë ju pëlqen në jetë?
 Hoti: Krijimi!
 
Çfarë nuk ju pëlqen?
 Hoti: Arsyetimi!
 
Çfarë konsideroni themelore në jetën tuaj?
Hoti: Mundësinë!
 
Cili është libri më i bukur që keni lexuar në 3 vitet e fundit?
Hoti: “Emri i trëndafilit” – Umberto Eco
 

Ka një frazë apo aforizëm që mund të karakterizojë natyrën tuaj?
Hoti: I vështirë!

 


MË SHUME NGA Kulturë