Meta: Partitë të bashkohen rreth një platforme për dialogun me Serbinë
Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në procesin e dialogut me Serbinë, i ka thënë presidenti i Shqipërisë, Ilir meta, kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.
Meta ka njoftuar për takimin e zhvilluar të premtën.
Njoftimi i plotë:
I lumtur të prisja sot në një takim vëllazëror Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Sh.T.Z Avdullah Hoti.
E urova përzemërsisht për detyrën e re dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, popullit të saj dhe të ardhmes europiane.
Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë.
I premtova Kryeministrit Hoti se edhe kësaj vere do të promovoj me kënaqësi bukuritë natyrore të Kosovës sonë të dashur, i bindur se edhe shumë qytetarë nga Kosova do ta kalojnë sezonin turistik në perlat e bregdetit dhe malet e jashtëzakonshme të Shqipërisë.























