​KEK Shteti ta ndihmojë telekomin, ndryshe e pësojmë edhe ne
Sharr Travel

​KEK Shteti ta ndihmojë telekomin, ndryshe e pësojmë edhe ne

Korporata Energjetike e Kosovës kërkoi nga shteti të ndihmojë Telekomin e Kosovës, si ndërmarrje publike.

Përmes një komunikate për media, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës, kërkoi nga Qeveria e Kosovës, në cilësinë e aksionarit të vetëm, por dhe institucionet e tjera shtetërore, që të trajtohet seriozisht situata e krijuar, pas njoftimit për mbylljen e të gjitha xhirollogarive bankare të Telekomit të Kosovës në procedurë përmbarimore.

“KEK e ka partner të besueshëm afarist Telekomin e Kosovës, duke qenë se kanë disa bashkëpunime, si marrëveshje për shërbimet e telefonisë fikse, telefonisë mobile dhe atë të internetit e data-koneksioneve, dhe ndërprerja eventuale e shërbimeve nga Telekomi Kosovës do të shoqërohet me probleme të mëdha në komunikim në KEK si brenda ashtu edhe jashtë korporatës. Po ashtu, situata e krijuar në Telekom do të këtë pasoja të shumëfishta në shumë sektorë publik dhe privat dhe si rezultat kjo do të mund të sjellë dëme të paparashikueshme qe gjithsesi do të godasin edhe Korporatën tonë”, thuhet në komunikatë.

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës shpreh solidaritetin me kolegët e ndërmarrjes publike, Telekomin e Kosovës për situatën e rendë të krijuar në këtë ndërmarrje, që sipas tyre është pasojë e mungesës së mbështetjes së vazhdueshme dhe politikave të gabuara të organeve drejtuese në të kaluarën.

“Kërkojmë nga organet shtetërore që të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre në funksion të ruajtjes, respektivisht rritjes së vlerës së ndërmarrjeve publike strategjike dhe të mundësohet vazhdimi i afarizmit të tyre, së fundmi i rënduar edhe nga pandemia COVID-19”, përfundon komunikata.