Netflix anulon serinë turke - shkak roli i një homoseksuali
Sharr Travel

Netflix anulon serinë turke - shkak roli i një homoseksuali

Në vend të ndryshimit të skenarit, gjigandi i filmave "streaming", Netflix e ka anuluar tërësisht një seri të re që do të prodhohej në Turqi. Shkak bëhet roli i një homoseksuali.

Netflix e anuloi serinë „Nëse vetëm" - "If Only" ("Şimdiki Aklım Olsaydı") vetëm një natë para fillimit të prodhimit të serialit. Ofruesi i filmave „streaming" nuk ia doli, megjithë negociatat të marrë lejen për fillimin e xhirimeve nga RTÜK, Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit të Turqisë. Veçanërisht prodhuesit e filmave të huaj në Turqi, si Netflix, duhet të paraqesin skenarët e filmave të planifikuar tek Ministria e Kulturës dhe Turizmit për të marrë lejen, e cila ka nën kompetencë punën e RTÜK. Edhe prodhuesit turq shpesh qëndrojnë nën mbikqyrjen e shtetit.

Autorja e skenarit, Ece Yorenc u shpreh për portalin turk të filmit, Altyazi Fasikul, se „leja e xhirimit për serinë nuk u dha, sepse filmi përmban një protagonist homoseksual." Ajo shtoi, se filmi nuk përmban asnjë lloj episodi ku nënkuptohet seks mes homoseksualëve apo përafërsisht. Më parë në mediat turke ka pasur informacione të pasakta, që paraqesnin variantin e kundërt, sipas Yorenc, e cila shtoi se ky akt censure është „shumë shqetësues për Turqinë, në kontekstin e asaj që na pret."

Vendimi pesëmilionë dollarësh

Sipas Netflix pjesa me protagonistin homoseksual, Osman ishte një rol dytësor në serinë „If Only". Pikërëndesa e serisë ishte përvoja e një nëne të martuar e jo të lumtur, Reyhanit. Seria do të ishte gati në vitin 2021, por tanimë ajo u anulua plotësisht. Skenaristja Yorenc me gjasë kishte ofruar ndryshime në minutën e fundit, për të marrë parasysh edhe standartet e RTÜK-së, shkruan plataforma Altyazi Fasikul. Por sipas revistës amerikane, Variety Magazine, Netflix kishte preferuar anulimin e të gjithë prodhimit. Megjithatë Netflix është shprehur se pagesat e premtuara për ekipin e serialit "If Only” do të kryhen plotësisht. Pas anulimit të serisë, Netflix kalon në humbje me 5 milionë dollarë. Por firma ka theksuar, se "ndjen detyrim të thellë për abonentët turq dhe komunitetin krijues në Turqi.”

Sipas Yorenc, Netflix e mori këtë vendim të vështirë në minutën e fundit parimisht, sepse refuzon të pranojë ndryshime skenari nga qeveria. Mahir Ünal, ministri turk për Kulturën dhe Turizmin shkroi më vonë në twitter, se ai beson fort se, Netflix do të tregojë "më shumë sensibiliet për kulturën dhe artin turk në emër të një bashkëpunimi të ngushtë (me Turqinë).”

Turqia: Mes lirisë dhe autoritarizmit

Kultura turke e përmendur nga Mahir Ünal duket se nuk është aq në kundërshtim me Netflix-in, por me historinë e saj : Nën performuesit dhe njerëzit e shout më të njohur në historinë moderne turke bëjnë pjesë një transseksual (Bülent Ersoy), një Drag Queen (Huysuz Virjin) dhe një homoseksual (Zeki Müren) – të gjithë kanë arritur suksesin në biznesin e shout, para se të përmendeshin diku në botë nocione si martesa mes homoseksualëve apo masa të tjera mbrojtëse për komunitetin LGBTQ.

Që nga themelimi i Turqisë moderne në vitin 1923 nga Mustafa Kemal Atatürk nuk ka pasur ligje kundër homoseksualitetit. Në vitin 1934 u fut e drejta e votimit për gratë, para shumë vendeve të tjera, mes tyre edhe disa vende perëndimore. Por megjithë këtë qëndrim të moderuar në dukje në vendin me shumicë myslimane, Turqia ndodhet në një luftë kulturore, ku orientimi seksual është një nga temat që e përçajnë shoqërinë. Prej pesë vitesh në Stamboll janë ndalur aktivitetet e ditës së njohur si Christopher Street Day. Policia ndërhyn brutalisht ndaj atyre që i shkelin këto ndalime.

Diplomacia e tipit Netflix

Ndërkohë duket se Netflix mban distancë nga konfrontimet me qeveritë e huaja. Në vitin 2019 u hoq seriali komedi "Akt patriotik me Hasan Mihaj” nga oferta e Netflix në Arabinë Saudite, pasi autoritetet arabe të mbikqyrjes së telekomunikimit kishin thënë se ajo shkel ligjin kundër kriminalitetit kibernetik. Episodi në të vërtetë paraqiste në mënyrë satirike princin trashëgimtar saudit, Mohamed bin Salman për bashkëpërfshirjen e tij të dyshuar në vrasjen e gazetarit, Jamal Khashogi.

Organizatat si Amnesty International e kritikojnë mënyrën e veprimit të Netflix, si edhe faktin që firma ende qëndron në tregun saudit. Kurse në Turqi, Netflix është aktiv që në vitin 2016 dhe ka 1,5 milionë abonentë. Megjithatë entuziazmi për serialët e prodhuar nga Netflix nuk është shumë i madh. Netflix e di, se nuk konkurron dot me serialët e televizioneve turq. Shumica e turqve e ka ende televizionin burim kryesor informacioni.