Di Canio hedh “bombën”: Conte sulmoi klubin sepse nuk e do Messin

Di Canio hedh “bombën”: Conte sulmoi klubin sepse nuk e do Messin

Çfarë fshihet pas shpërthimit të ashpër të Antonio Conte në fund të ndeshjes Atalanta-Inter? Tekniku puljez siguroi se shqetësimet e tij nuk lidhen me merkaton, pra me emra të veçantë futbollistësh, por këto fjalë nuk e bindin plotësisht Paolo Di Canion, një ish-futbollist që tani është komentues i “Sky Sport”. 52-vjeçari, i njohur për qëndrimet e tij kontroverse, plas “bombën”.

“Nëse Interi në të vërtetë do të vendoste të hidhej në sulm për Messin dhe do t’i kishin thënë se do të bënin gjithçka për ta blerë, a jeni të sigurt që Conte do ta donte Messin tek Interi? Unë them jo. Do të thotë që ne do të flisnim më shumë për Messin sesa për Interin, siç ndodh me Cristiano Ronaldon tek Juventusi.”

Di Canio më pas nënvizon seriozitetin e deklaratave të bëra nga Conte, të cilat, sipas mendimit të tij, shënojnë një krisje të parikuperishme me klubin.

“Dje është diçka shumë serioze. Nuk e di pse Antonio i tha këto fjalë, por edhe nëse ai do të qëndrojë tek Interi, shenja e plagës së hapur do të jetë aty para se problemet të shfaqen përsëri.”