Edhe Sllovakia dëbon tre diplomatë rusë të shërbimeve sekrete
Strukturat sllovake të sigurisë kanë arritur t’i zbulojnë dhe t’i dëbojnë tre diplomatë rusë, që ishin pjesë e stafit diplomatik të Ambasadës Ruse në Bratisllavë. Tre diplomatët rusë, në fakt ishin pjesëtarë të shërbimeve të inteligjencës ruse dhe punonin nën petkun e “diplomatit” për interesat e inteligjentës ruse.
Ministria e Jashtme e Sllovakisë e ka konfirmuar rastin e dëbimit të spiunëve rusë, por as ministria dhe as Shërbimi Informativ Sllovak-SIS, nuk dhënë detaje për arsyet e dëbimin.
Burime të besueshme me strukturat e sigurisë, kanë konfirmuar për mediat e huaja se, dëbimi i tre spiunëve rus është i ndërlidhur me vrasjen e vitit të kaluar në Berlin, të shtetasit gjeorgjian Zelimkhan Khangoshvili, i cili, gjatë luftës në Çeçeni kishte qenë komandant i formacioneve çeçene.
"Sipas informacionit nga shërbimet e inteligjencës sllovake, aktivitetet e tyre ishin në kundërshtim me konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike," tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme Sllovake, për BBC.
"Në krye të kësaj, kishte pasur një abuzim të vizave të lëshuara në konsullatën e përgjithshme sllovake në St Petersburg, dhe në lidhje me këtë ishte kryer një krim i rëndë në territorin e një shteti tjetër anëtar të BE-së dhe NATO-s", tha ai.
Vrasësi i Khangoshvili ishte pjesëtar i Shërbimit Federal Rus - FSB dhe ishte ndihmuar nga shtetasi rus, Roman Davydov i cili kishte hyrë në Gjermani falë një vize Sllovake.
Rasti i fundit që Sllovakia kishte dëbuar një diplomat rus për aktivitete spiunazhi kishte ndodhur në fund të vitit 2018. Atë kohë, ish-kryeministri Peter Pellegrimi kishte konfirmuar dëbimin e diplomatit rus, i cili në fakt ishte spiun i Inteligjencës Ushtarake Ruse - SVR dhe ishte duke kryer aktivitete spiunazhi kundër interesave të Sllovakisë dhe NATO-s. Pas dëbimit të spiunit rus, Moska si kundërpërgjigje kishte dëbuar një diplomat sllovak.
Analisti çek i sigurisë Andor Sandor, thotë se pret që pas dëbimit të tre spiunëve rus me pasaporta diplomatike të reagojë edhe pala ruse dhe ta shpall “non grata tre diplomatë sllovakë”.
Mediat lokale, si dhe faqja e internetit hetimore bellingcat.com, kanë raportuar se njëri nga këta tre, që dyshohet se kishte planifikuar vrasjen, kishte udhëtuar në BE me një vizë Sllovake.
Të tre duhet të largohen nga vendi deri më 13 gusht.
Viteve të fundit në shtetet e Bashkimit Evropian, dhe Ballkan, ka pasur disa raste të dëbimit të “diplomatëve| rusë, të cilët në fakt ishin pjesë e shërbimeve të inteligjencës.
Në lidhje me rritjen e aktiviteteve të shërbimeve sekrete ruse, SIS-i sllovak ka vite që ka tërhequr vërejtjen. Në raportin vjetor të SIS për sigurinë, thuhet se “aktivitetet e shërbimeve sekrete ruse në Sllovaki janë të fokusuara në sigurimin e informatorëve në organet e administratës shtetërore, në fushën e energjetikës dhe në forcat e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Në një prononcim të ministrit sllovak të mbrojtjes, Jarosllav Nad, për aktivitetin e spiunëve rusëq, thuhet se, rusët janë shumë aktivë në Sllovaki dhe përdorin teknika të sofistikuara dhe se viteve të fundit në Sllovaki për qëllime spiunazhi kanë filluar të dërgojë femra tërheqëse.
Rritjen e aktivitetit të shërbimeve sekrete ruse në shtetet e BE-së, e konfirmon edhe Shërbimi i Inteligjencës së Çekisë - BIS, i cili ka ardhur në përfundim se një e treta e gjithë stafit diplomatik në Ambasadën Ruse në Pragë janë pjesëtarë të shërbimeve inteligjente ruse.























