Dumoshi përmbyll Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me dy aktivitete virtuale

Dumoshi përmbyll Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me dy aktivitete virtuale

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ka përmbyllur Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, me dy pjesëmarrje shumë të rëndësishme virtuale, në debatin “Debat n’shilte” me temën Rinia e shëndeti mendor organizuar nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore në bashkëpunim me MKRS.

Në këtë takim virtual ajo theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme diskutimi për shëndetin mendor dhe luftimi i de-stigmatizimit, sidomos te të rinjtë.

“Situata me COVID-19 është aq e paprecedentë sa që na ka gjetur të gjithëve pa dallim në situata pasigurie e shqetësimi të vazhdueshëm. Kemi merak për shëndetin personal, atë të familjarëve e të rrethit, andaj duhet të jemi sa më të hapur dhe të ndajmë eksperiencat personale, si mënyra e vetme që mundëson tejkalimin më të lehtë të kësaj krize të shumëfishtë. Problemet duken gjithmonë më minore kur i ndajmë me të tjerët”, tha ministrja Dumoshi.

Aktiviteti i dytë virtual ku ministrja mori pjesë ishe takimi online me një grup të rinjsh, organizuar nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë.

Gjatë kësaj bisede u diskutua për reflektimet e të rinjve në lidhje me pandeminë COVID-19, (periudha para dhe pas pandemisë) nga këndvështrimi i të rinjve për këtë situatë.

Ministrja Dumoshi theksoi se do të vazhdojë të jetë sa më pranë të rinjve për përballimin e kësaj krize, duke i mbështetur me grante dhe projekte përmes ministrisë, dhe duke qenë derë e hapur për të gjitha shqetësimet dhe pasiguritë që mund të kenë.