A mund të zhvendoset traseja e rrugës Deçan –Plavë?
BKT
Lajme

A mund të zhvendoset traseja e rrugës Deçan –Plavë?

Ndërtimi i rrugës Deçan –Plavë tashmë ka marrë konotacion politikë, ku për ndalimin e punimeve aty janë involvuar akter të shumtë.

Ndërtimi saj, ditë më parë u ndalua me urdhër të Qeverisë së Kosovës.

Ndalja e punimeve ka ngjallur reagime të ashpra të kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ai pos deklarimeve politike, shkoi edhe më tej duke anashkaluar kompetencat e tij. Urdhëroi që punimet të fillojnë, ani pse rrugët rajonale janë nën kompetenca të Ministrisë së Infrastrukturës, e cila njëherësh ka bërë edhe kontraktimin e punimeve në vitin e kaluar si fazë e dytë e projektit, shkruan lajmi.net.

Por, sot pas një takimi që kanë pasur kryeministri Avdullah Hoti dhe kryetari Ramosaj janë dakorduar që punimet të pezullohen.

Marr parasysh zhurmën e krijuar, traseja e rrugës mund të pësojë ndryshime në mënyrë që të largohet nga zona e mbrojtur, pjesë e të cilit është Manastiri.

Ministria e Infrastrukturës kishte kontraktuar kompaninë “Vizion Project” me pronarë Shkëlqim Osmani që të bëjë projektin e rrugës, e cila më pas e kishte dozuar projektin në ministri.

Përparim Osmani, inxhinier në këtë kompani tha për lajmi.net se çdo devijim i rrugës ka koston e vetë, por se ajo është e realizueshme.

“Rruga Deçan –Plave është për mes rrugës M108 që është parcelë në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës. Pra, ajo është shpronësuar me kohë. Çdo lëvizje e saj kalon nëpër prona private, çka do të thotë se krijon kosto buxhetore. Ne jemi munduar që të ndjekim komplet pjesën ku është bërë shpronësimi. Kemi pasur kontratë 3 vjeçare me ministrinë. Na është dhënë një detyrë projektuese ku kanë qenë të përcaktuara të gjitha vija ka do të kalojë rruga, gjerësia e korsive edhe lëvizja e automjeteve. Do më thënë në bazë të atyre parametrave është dashur ta bëjmë projektin e rrugës. Po ashtu, është dashur që t’i respektojmë disa kthesa disa pjerrstina, të cilat nuk guxojnë me kalu 10 për qindëshin”, tregon Osmani.

Ai tha se nëpërmjet ndërtimit të  ashtuquajturit “By pass” mund të behët devijimi i rrugës në anën e djathtë.

“Në qoftë se do të bëhet, ashtu siç po flitet për zhvendosje të trasesë, ka qenë një hipotezë e dikujt prej ministrave që do të bëhet një (By pass) edhe mos me kalu hiq nga Manastiri, por me shku në anën e djathtë. Diku në media e dëgjova që duhet të realizohet në anën e majtë, andej nuk mund të realizohet hiq. Në anën e djathtë i bije që të kalohet lumi me një urë dhe të shkohet shumë afër një mali që kish me qenë një kosto e lartë”, përfundoi Osmani.

Ministria e Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga Arban Abrashi nuk ka dashur të përgjigjet për lajmi.net në pyetjet e drejtuar lidhur më këtë projekt.

Madje, kjo ministri ka qenë aq shumë jo transparente saqë në media është spekuluar se rruga është duke u ndërtuar nga një kompani që nuk është e kontraktuar nga ministria.

Lajmi.net ka parë se me 9 korrik 2019, Ministria e Infrastrukturës kishte lidhur kontratë me grupin e operatorëve “Erst Bau” shpk & “Konstruksion” për projektin me titull “Rehabilitimi i rrugës Rajonale R 108, Segmenti II, L 12, 580.00M”. Vlera e kontratës është 3, 789, 533.30 euro. Sipas kontratës, data e paraparë e përfundimit të punimeve ka qenë 555 ditë pune. Pra, që nga korriku i vitit të kaluar kjo kompani ka qenë duke ndërtuar në atë rrugë, si fazë e dytë e projektit.

Ministria më 16 shkurt 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “Lika Trade” shpk për tenderin “Ndërtimi i rrugës rajonale R108, Deçan-kufiri me Malin e Zi (Plavë), segmenti I, L=14,510m st.0+000.00-14+510.00”. Vlera e përgjithshme e kontratës 4.191.313,39 euro.

Muaj më parë, lajmi.net ka raportuar se kjo fazë e parë e ndërtimit është duke u hetuar nga polica e krimeve ekonomike. Hetimet kishin nisur, pasi projekti nuk ishte projektuar saktë, dhe rihartimi i projektit ishte bërë nga një kompania e cila nuk ishte kontraktuar nga ministria.

Projektin e parë të këtij tenderi e ka hartuar kompania “Vizion projekt”, e kontraktuar nga ministria, por me urdhrin e menaxherit të ministrisë ishte ndërruar projekti, siç ka mësuar lajmi.net ishte shkurtuar rruga për rreth 4 kilometra. Projektuesin e dytë e kishte kontraktuar komuna e Pejës, pa procedura të prokurimit, ani pse financues dhe projektues i këtij projekti ka qenë MIT. Kjo ishte bërë me pëlqim të menaxherit të kontratës.

Hetuesia i ka shtrirë hetimet në komunën e Pejës dhe MIT.

Rastin e kishte zbuluar Zyra Kombëtare e Auditimit, të cilin e ka evidentuar në raportin e pasqyrave financiare për vitin 2018 për MIT, raport të cilin e ka publikuar në vitin e kaluar.

ZKA ka gjetur se kontrata është nënshkruar me operatorin ekonomik që nuk i ka plotësuar kërkesat e përshtatshmërisë së dosjes së tenderit.

Sipas Ligjit Nr. 04/L 042 të Prokurimit Publik (LPP) nenit 65 pika 4.1, operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse gjatë dy  viteve të kaluara është shpallur nga një gjykatë kompetente si i falimentuar ose insolvent, dhe pika 4.8, nëse aktualisht është me vonesë në pagimin e tatimit në Kosovë.

“Me rastin vlerësimit të aktiviteteve të prokurimit, ne kemi identifikuar së në dy raste para nënshkrimit të kontratave nuk janë ofruar konfirmimet e kërkuara nga gjykata dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Fjala është për: Nënshkrimi i kontratës “Ndërtimi i rrugës nacionale Deçan- Mali i Zi” me vlerë 4,191,313€; dhe Nënshkrimi i kontratës “Nedakovc – Smrekovnicë Lot II” me vlerë 2,067,455€. Nënshkrimi i kontratave me operatorët ekonomik në mungesë të dëshmive të kërkuara, është rezultat i punës së zyrtarëve të prokurimit për të administruar procesin sipas rregulloreve”, kishte shkruar ZKA në raportin vjetorë për MIT.

Anashkalimi i kritereve të dosjes së tenderit, sipas auditorit, rritë rrezikun e nënshkrimit të kontratave me operatorë të pa përgjegjshëm dhe se kjo dëmton transparencën e procesit dhe mundësinë e diskriminimit të operatorëve tjerë konkurrues.

Tutje, në raport ZKA kishte shkruar për mangësi në hartimin e projekteve nga kompania e kontraktuar nga ministria.

“Gjetja sipas dosjes së tenderit – paramasës dhe parallogarisë, nga projektuesit kërkohet që me rastin e hartimit të projektit kryesor për rrugë, duhet përfshirë matjet gjeodezike, punimi i shqyrtimeve gjeomekanike të nevojshme për punimin e projektit kryesor, shpimet në thellësi 8-15 metra, analizat laboratorike dhe punimi i elaboratit gjeoteknik. Në dy raste hartimi i projekteve të rrugëve nuk ishte punuar sipas paramasës dhe specifikacionit teknik të detyrueshëm. Në mungesë të kësaj, qysh në fillim të ndërtimit të rrugëve janë paraqitur probleme dhe projektet kanë rezultuar me punë shtesë dhe kishte lindur nevoja për revidimin e projekteve ekzekutuese, për të mundësuar vazhdimin e punimeve për ndërtimin e rrugëve”, thuhet në raportin e ZKA.

“Kërkesat për ndryshimin e projekteve janë paraqitur nga Menaxherët e projekteve pranë zyrës së prokurimit. Kërkesat për ri hartim të projekteve janë aprovuar nga komisionet përkatëse për aprovimin e punëve shtesë. Projekti “Ndërtimi i rrugës nacionale Deçan – Mali Zi “ kontrata bazë në vlerë 4,191,313€, menaxheri i projektit ka kërkuar ri hartimin e projektit me arsyetimin se projekti i kishte këto mangësi: matjet gjeodezike ishin bërë shumë të cekëta, incizimi i pamjaftueshëm i gjendjes ekzistuese dhe profilet tërthore pasqyronin terrenin e gabuar. Me rekomandim të komisionit, është ri hartuar projekti dhe me ketë rast është nënshkruar aneks kontratë për punën shtesë në vlerën prej 414,725 euro”, thuhet tutje në raport.

Sipas UOPP, neni 61 menaxhimi i kontratës, ndër tjera, menaxheri i kontratës është përgjegjës t’i siguroj detaje të plota të një ndryshimi të kërkuar të kontratës departamentit të prokurimit dhe ta merr miratimin e tij.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 16 gusht kishte kërkuar që të ndalen punimet në ndërtimin e rrugës.

Reagimi i kryeministrit, erdhi një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se Beogradi do të kërkojë “pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit” nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.


MË SHUME NGA Lajme