Hoti pret ambasadorn gjerman, i thotë se dialogu duhet të mbyllet me njohje
"Gjermania mbetet një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës, kurse marrëveshja Kosovë-Serbi në thelb duhet të përmbajë njohjen reciproke", ka thë kryeministri Hoti.
Hoti priti sot në takim njohës ambasadorin e ri të Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, të cilin e uroi për detyrën e re.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar me anë të një komunikate për ngjarjen.
“Duke e falënderuar ambasadorin Rohde për ndihmën e përhershme që Gjermania i ka dhënë Kosovës, kryeministri Hoti ritheksoi qëndrimin e palëkundshëm të Qeverisë së Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.
Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti ripohoi qëndrimin e prerë të Republikës së Kosovës se është koha për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes të dy vendeve, e cila në thelb duhet të përmbajë njohjen reciproke.
Ndërsa, ambasadori gjerman Jörn Rohde, ndër të tjera, ka shprehur shpresën për një përparim të shpejtë në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka theksuar se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për menaxhimin e pandemisë dhe të rimëkëmbjes ekonomike.
Po ashtu, ai shtroi edhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të kompanive private, duke pohuar gatishmërinë gjermane për investime në vendin tonë.























