Egbo: Krenar për lojtarët e mi, do synojmë grupet në Europa League!
Emanuel Egbo nuk e fsheh dot zhgënjimin për eliminimin e Tiranës nga Champions League.
Ndaj Crvena Zvezdës bardheblutë u mposhtën me rezultatin minimal 0-1 edhe pse zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer në çdo aspekt. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Egbo e pranoi se fati nuk ishte me Tiranën dhe lojtarëve nuk ka çfarë t’u kërkojë më shumë përveç se t’i përgëzojë për paraqitjen. Trajneri nigerian Tirana shtoi gjithashtu se skuadrat e tij do të kërkojë të bëjë sa më shumë rrugë në Europa League duke tentuar fazën e grupeve të këtij kompeticioni.
“Ne aq lojtarë kishim, aq mundësi kishim për të bërë ndërrime. Nuk kishim çfarë të bënim më shumë. Aq mund të jepnim brenda fushës. Lojtarët e rinj nuk kishim mundësi për t’iu bashkuar ekipit. Ekipi ka nevojë për lojtarë të tjerë. Ekipi ka fituar jashtëzakonisht shumë besim. Ka krijuar një personalitet dhe mentalitet fituesi. Kemi tentuar deri në momentin e fundit për të ndryshuar fatin. Jam krenar çfarë kanë dhënë lojtarët, për të ndryshuar rezultatin. Rastet e humbura? Jemi njerëz, jemi mërzitur. Diçka normale. I kam thënë çunave që nuk duhet mërzitur. Kështu e ka vendosur Zoti që do të ndodhë. Nuk jam mërzitur fare, jam shumë i kënaqur. Jeta vazhdon. Do të luajmë fatet tona, në Ligën e Europës. Me ndihmën e Zotit, mund të futemi në grupet e Ligës së Europës”, u shpreh trajneri Egbo.























