Qeveria miraton master-planin për fillimin e vitit të ri shkollor
Qeveria e Kosovës miratoi planin e Ministrisë se Arsimit dhe Teknologjisë për fillimin e vitit të ri shkollor para-universitar në kohën e pandemisë së koronavirusit.
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, tha se në bazë të këtij plani parashihet që mësimi të zhvillohet në tre skenarë: kthimi në shkolla, mësimi i kombinuar dhe mësimi në distancë.
Për realizimin e këtyre skenarëve, Likaj kërkoi mbi 13 milionë euro për mirëmbajtje të pastërtisë, dezinfektimin e objekteve të shkollave dhe të tjera.
Shuma u miratua në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se në shumicën e shkollave tashmë kanë filluar përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë të vitit shkollor.
“Ne jemi të vetëdijshëm se po marrim përsipër një rrezik me hapjen e shkollave sipas procedurave, që duhet të ndiqen në kushtet e pandemisë. Prandaj, kërkohet kujdes ekstrem i nxënëseve, prindërve, arsimtarëve dhe komunave, që shkollat të mos kthehen në vend ku përhapet virusi”, tha Hoti pas mbledhjes së qeverisë .
Sipas planit të Ministrisë së Arsimit, viti shkollor do të nisë në faza.
E para pritet të nisë më 1 shtator dhe përfshin parashkollorët, klasat e para, të dyta, të treta, të gjashta dhe të dhjeta.
Faza e dytë do të fillojë më 7 shtator dhe përfshin klasat e katërta dhe të pesta, ndërsa faza e tretë e mësimit do të fillojë më 10 shtator dhe do të përfshijë klasat e shtata, të teta, të nënta, të njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta.
Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, në kuadër të masave kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.























