Tramp: Kjo është marrëveshje historike
BKT
Lajme

Tramp: Kjo është marrëveshje historike

Presidenti I ShBA-ve, Donald Tramp ka cilësuar nënshkrimin për bashkëpunim ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë, si nënshkrim historik.

*E plotësuar) Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Kosova dhe Serbia kanë shprehur përkushtimin të normalizojnë raportet ekonomike, ka thënë Trump, raporton Reuters.

Trump tha se kjo është "një ditë shumë e rëndësishme dhe historike".

Ai shtoi se edhe pas historisë së dhunës dhe negociatave të dështuara, administrata e tij ka bërë një "përparim të madh" në dialog dhe se "askush nuk ka menduar se kjo do të ishte e mundur".

Trump, gjithashtu, tha se ai shpreson se "do të shkojë në të dyja vendet në një të ardhme jo aq të largët" dhe se ai është "krenar për dy udhëheqësit".

Presidenti Trump e përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur "përparim të madh" për bashkëpunimin ekonomik.

Edhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brian, ka thënë se derisa marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë kultivohen, do të ketë edhe zgjidhje politike, gjithashtu.

Ndërkaq, Hoti ka theksuar se marrëveshja me Serbinë është një hap i madh përpara që do të çojë në njohjen reciproke mes dy vendeve.

"Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin. E kemi bërë një hap të madh për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që duhet të çojë në njohjen ndërsjellë eventuale", deklaroi ai.

"Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku, për ta përmirësuar jetën e njerëzve dhe për të krijuar vende të reja pune në rajon. Ne besojmë plotësisht në administratën tuaj. Ne ndajmë të njëjtat vlera për lirinë dhe demokracinë, si dhe ekonomitë e tregut të hapur", tha Hoti.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka ende shumë dallime midis Serbisë dhe Kosovës, por ky është një hap i madh përpara, transmeton REL.

“Kur është fjala te politika, ne ende s'i kemi zgjidhur krejt problemet tona, ende ekzistojnë shumë dallime. Por, ky është një hap i madh përpara”, ka thënë Vuçiq.


MË SHUME NGA Lajme