Shtëpia e Bardhë publikon në faqen e tyre fjalimin e kryeministrit Hoti
Faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në Facebook ka publikuar një pjesë të fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë së premtës kur po nënshkruhej marrëveshja ekonomike me Serbinë.
Në videon e publikuar në rrjetin social Facebook, është shtuar edhe një citat nga fjalimi si përshkrim.
“Kryeministri Avdullah Hoti i Kosovës: Ne jemi të angazhuar që të punojmë së bashku në përmirësimin e jetës së njerëzve, që të krijojmë punë në rajon… Ne ndajmë të njëjtat vlera të lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë”, thotë Hoti në videon e postuar nga Shtëpia e Bardhë.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump, më 4 shtator kanë nënshkruar një marrëveshje ekonomike e cila u tha se do t’i përmirësojë marrëdhëniet mes dy shteteve.
Trump i ka siguruar Kosovës njohjen nga Izraeli, e cila njëherit është edhe pika e fundit e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator.























