Ministrja Dumoshi përkrahje maksimale projektit rinor në Gjilan

Ministrja Dumoshi përkrahje maksimale projektit rinor në Gjilan

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ishte sot në Gjilan në aktivitetin e organizuar nga Organizata Joqeveritare “Rinia Studentore Kadri Zeka” mbështetur nga MKRS përmes thirrjes publike për mbështetje të projekteve rinore.

Organizata në fjalë është implementuese e projektit “S’duhani” i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare tek të rinjtë kundër duhan pirjes. I gjithë ky projekt po implementohet përmes një morie aktivitetesh atraktive në vazhdën e muajit të rinisë dhe të aktiviteteve të parapara për muajin e rinisë.

Ministrja Dumoshi u shpreh tepër e lumtur që përmes thirrjes publike për rininë kanë mbështetur rreth 32 projekte rinore, në vlerë prej 100 mijë euro.

“Jemi duke punuar intenzivisht për projektligjin për rininë, dhe përmes tij do ta rrisim moshën si dhe do ta forcojmë komponentin e njohjes së punës vullnetare” theksoi ministrja.

Përmes këtij projekti synohet objektivi i ndërgjegjësimit qytetar ndaj shprehive të dëmshme si dhe ngritja e vetëdijes tek të rinjtë për një ambient sa më të shëndetshëm.

Rinia është një nga dikasteret kyçe të ministrisë dhe nga fushat më me prioritet për mbështetje institucionale, prandaj edhe vëmendja e saj si ministre është maksimale për ngritjen e kapaciteteve rinore.


MË SHUME NGA Kulturë