FESTIVALI I FOTOGRAFISË “FOKUS AWARD” SHPALL FITUESIN

FESTIVALI I FOTOGRAFISË “FOKUS AWARD” SHPALL FITUESIN

Mbrëmë në galerinë “Vilson Kilica” të Fierit është hapur ekspozita e fotografive në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë “FOKUS Award”. Fituese e garës së Festivalit është shpallur fotografja Inda Sela nga Shqipëria.

Organizatorët për këtë edicion kishin paracaktuar temën “ISOlation” (izolimi, ishullimi), duke i dhënë kuptim të dyfishtë, pasi ISO është një kategori teknike e fotografisë që përcakton ndjeshmërinë e filmit/sensorit. Jeta në kohë pandemie, kufizimet, shtrëngesat e ishullimi që ka shkaktuar ajo për qenien njerëzore e qenien krijuese artistike është reflektuar në veprat e ekspozuara.

Drejtori i Festivalit z. Arben Alliaj është shprehur se tema e sivjetme “Është quajtur ‘ISOlation’, për faktin se vetë situata aktuale që po kalojmë jo vetëm ne si Shqipëri, si Ballkan por e gjithë bota na detyroi që të jemi të izoluar. Edhe pse në kushte të tilla, shpirti i artistit, njeriu nuk ka ndenjur duarkryq por ka punuar, ka jetuar, ka vepruar, ka krijuar. Madje, në kushte të vështira artistët historikisht kanë prodhuar kryevepra”.

Kuratorët e Festivalit, Burim Myftiu nga Kosova dhe Osman Demiri nga Maqedonia e Veriut dhe Elton Koritari përzgjodhën 46 vepra nga rreth 150 sa kishin aplikuar. Autorët, përveç nga Shqipëria e Kosova, vijnë edhe nga SHBA, Anglia, Franca, Zvicra, Italia, Gjermania, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Irani dhe Rusia.

Osman Demiri ka folur për veprat e përzgjedhura e të ekspozuara: “Në këtë ekspozitë artistët kanë sjellë ndjesinë e tyre duke ngritur në art dhimbjen, vetminë, absurden por dhe optimizmin, shpresën, humorin. Ky izolim nuk është vetëm covidian, ndaj dhe kjo ekspozitë e sjell në gjithë format e shumta të tij”.

Juria e Festivalit, e kryesuar nga Prof. Rudolf Schäfer, ka vlerësuar si më të mirën veprën “23” të autores Inda Sela nga Shqipëria.

Festivali “FOKUS Award” sivjet shënon edicionin e 11-të, duke e vënë Fierin në hartën e festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare të fotografisë.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm