VV - Hotit: Mbajeni mbledhjen e qeverive, në Kuvend të presim më 28 shtator

VV - Hotit: Mbajeni mbledhjen e qeverive, në Kuvend të presim më 28 shtator

Drejtuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, përmes një postimi në Facebook i ka kërkuar kryeministrit Avdullah Hoti që të mos e shtyjë mbledhjen e dy qeverive.

“Le të mbahet mbledhja përbashkët e qeverive! Mbledhja e dy qeverive, të Shqipërisë dhe e Kosovës, në Shkodër është në interes të të gjithë qytetarëve tanë. Si drejtues i Grupit parlamentar të LV, kërkues i raportimit të Hotit në Kuvend, publikisht e njoftojmë Hotin që mos të tërhiqet nga mbledhja me Qeverinë e Shqipërisë të premten me 25 shtator”, ka shkruar Selimi.

Selimi ka shtuar se më 28 shtator e presin në Kuvend që të raportojë.

“Ne e presim të hënën me 28 le të vijë të raportojë në Kuvend”, ka shkruar Selimi.

E për të njëjtën çështje ka shkruar në Facebook edhe nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.

“Si inicuese e kërkesës për të thirrur në raportim z. Avdullah Hoti lidhur me 100 ditëshin e tij, e presim në Kuvend javën e ardhshme. Nuk ka nevojë që të anulojë mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Përkundrazi. Nëse z. Hoti do të anulojë diçka, le të anulojë takimet me Vuçiqin me arsyetimin se nuk ka mandat nga Kuvendi për koncesionet që po i bën Serbisë dhe se duhet të raportojë para deputetëve. Me këtë anulim të takimit me z. Vuçiq, të paktën do të kishim një dëm më pak nga shumë që tashmë kanë sjellë”, ka shkruar Nagavci.


MË SHUME NGA Aktuale