Burgim i përjetshëm për policin që akuzohet se vrau të riun në Suharekë

Burgim i përjetshëm për policin që akuzohet se vrau të riun në Suharekë

Është dënuar me burgim të përjetshëm ish-rreshteri i Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasje të rëndë dhe manipulim me prova.

Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi në fjalë u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Ajser Skenderi, me anëtarë gjykatësit Artan Sejrani dhe Kymete Kicaj.

Spahiu gjithashtu ngarkohet me pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 650 euro, si dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, i akuzuari Spahiu dhe mbrojtësi i tij, avokati Emrush Kastrati, nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë shpalljes se aktgjykimit.

Më 31 maj 2019, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor Shefki Spahiu, me arsyetimin se i njëjti, më 17 mars 2019, në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje dhe në mënyrë dinake, privon nga jeta punëtorin e kazinos, Jetmir Aliaj.

Sipas aktit akuzues, Spahiu pasi qëndroi në kazino, papritur, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Ndërsa sipas pikës së dytë të aktakuzës, Spahiu akuzohet se pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinos dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat, me qëllim të pa mundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se polici kishte marrë dy shtëpiza të kompjuterit, duke i larguar dhe demoluar kabllot, dy UPS dhe të gjitha këto i kishte vendosur në bagazhin e automjetit të cilën e kishte parkuar prapa kazinos, ku pas largimit këto dëshmi i kishte hedhur në lumin Taplluha, në dalje të fshatit Neprebisht të Komunës së Suharekës. Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “manipulim me prova”. /BetimipërDrejtësi/


MË SHUME NGA Aktuale