Ish presidenti: Do të nënshkruaja marrëveshjen e Uashingtonit, por…
Ish presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, në vazhdim të “Debatit” në RTK marrëveshjen e arritur në Uashington e ka quajtur Ujdi që palët kanë marrë obligime.
“Kjo është ujdi atipike dhe nuk e di që do të shkojë në parlament. Është arritur aty, pra në Shtëpinë e Bardhë. Çështje e dytë është tek elementet tjera që janë brenda saj”, ka thënë ish presidenti Sejdiu.
Sipas tij, Kosova s’ka asnjë dëm nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë.
“S’ka dëm nga Zyra Ovale, pasi që kam besuar gjithmonë në Amerikën. Këta e kanë mbajtur fjalën, duke nisur nga Bushi në Tiranë dhe të tjerët pas tij”, ka thënë Sejdiu.
I pyetur se a do ta nënshkruante ai marrëveshjen e njëjtë, Sejdiu ka thënë se do ta nënshkruante, por me sqarime shtesë të amerikanëve.
“Do ta nënshkruaja, por ka çështje që do të duhej të sqaroheshin më shumë, por në SHBA kam besuar gjithmonë. Nëse ne kemi besim në SHBA-të, atëherë do të realizohet gjithçka. Çështja e korridoreve është çështje e shteteve sovrane”, ka shtuar tutje ai.
Sa i përket fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit, ish shefi i shtetit ka thënë se kjo do të jetë interesante. Ai si shembull e ka marrë edhe Liqenin e Kukësit dhe marrëveshjen e viteve të 70-të ndërmjet Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë.
“Serbia nuk mund të jetë partnere në Ujman”, ka theksuar Sejdiu. /RTKLive/























