Klinaku: Bastisja ishte e kundërligjshme, Specialja nuk ka mandat

Klinaku: Bastisja ishte e kundërligjshme, Specialja nuk ka mandat

Pas 8 orësh ka përfunduar bastisja e zyrave të OVL UÇK-së nga Eulex-i. Sekretari i kësaj organizate Faton Klinaku tha se zyrtarët e Eulex-it kanë marrë vetëm disa shtëpiza, ndërsa tha se në dokumentet që i kanë konfiskuar nuk ka asgjë.

Ai krejt këtë bastisje e ka konsideruar të kundërligjshme, pasi që sic thotë ai Gjykata Speciale është pa mandat që nga 2 gushti.

“Sot ka ndodhur një bastisje e kundërligjshme, sepse Gjykata Special nuk ka mandat prej datës 2 gusht dhe kanë ardhur si nëe kohën e Jugosllavisë. Bastisja ka zgjatur sepse unë nuk kam pranuar të kryhet bastisja pa qenë prezent në secilën zyrë, sepse kam pasur frikë që do të bëjnë diçka. Dokumente nuk kanë marrë, por kanë marrë vetëm disa shtëpiza të kompjuterëve”, tha ai.

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi konfirmoi se kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj janë në proces për t’u dërguar në Hagë. 

“Ka zgjatur mbi 8 orë bastisja e Eulex-it në OVL UÇK. Besoj që kemi parë një skenë krejtësisht të panevojshëm. Fillimisht ka qenë dashur të jetë prezentë policia e Kosovës dhe jo që të gjitha këto bastisje dhe arrestimi të bëhet me anë të Eulex-it. Ajo që më së paku është dashur të ndodhë tanimë kemi të arrestuar dhe janë duke u transportuar për në Hagë. Z. Hysni Gucati është kryetar i OVL- UCK dhe z. Nasim Haradinaj. Ne kemi qenë prezent gjatë bastisjes dhe gjatë ndalimit të z. Gucatit, ndërsa Nasim Haradinaj është arrestuar në qendër të Prishtinës duke shkuar në një medium. Janë marrë disa shtëpiza dhe asgjë tjetër dhe incizimet e kamerave në javët e fundit”, ka thënë ai.

Gashi tha arsyeja e vetme që është kryer kjo bastisje ndërlidhet me dokumentet e ardhura javëve të fundit, ndërsa arrestimi i dy personave është bërë me pretekstin kinse pengimin e drejtësisë.

Ai tha se nuk është marrë asnjë dosje e veteranëve të UÇK-së.


MË SHUME NGA Aktuale