​Zemaj: Nuk duhet të ekzaltohemi e të bëjmë lirimin e tepruar të masave

​Zemaj: Nuk duhet të ekzaltohemi e të bëjmë lirimin e tepruar të masave

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se ministritë tjera dhe dikasteret qeveritare duhet të kujdesën dhe ta ndihmojnë ministrinë që drejton në plotësimin e kushteve por edhe në përballimin e dëmeve që i ka shkaktuar pandemia Covid-19, derisa ka theksuar se nuk duhet të ekzaltuar me lirimin e tepruar të masave.

Pandemia ka bërë që në vendin tonë edhe pas sa muajve shkelet Kushtetuta, me masat për ndalim të cilat janë vendosur nga qeveritë. Të cenuara janë të drejtat dhe liritë e njeriut, liria e lëvizjes, mirëqenia dhe liria e aktivitetit ekonomik.

Zemaj në një konferencë për media është pyetur nëse së bashku me institucionet tjera qeveritare po shkelin Kushtetutën, duke mos hequr kufizimin për bizneset, duke moslejuar të hapen një pjesë të tyre, madje duke mos ofruar qytetarëve kushte për jetesë, derisa ka thënë se për ata interesi kryesor është ruajtja e shëndetit publik.

“Për neve interesi kryesor është ruajtja e shëndetit publik, në kuadër të kësaj hyn edhe ruajta e shëndetit edhe të përfaqësuesve, qoftë biznese të ndryshe dhe gjithë qytetarëve pa dallim. Është Qeveria e Kosovës, ministritë e linjës, dikasteret tjera qeveritare që duhet të kujdesën dhe ta ndihmojnë Ministrinë e Shëndetësisë në plotësimin e kushteve por edhe në përballimin e dëmeve që i ka shkaktuar pandemia Covid-19, qoftë edhe ato që ju i potencuat që disa janë të drejta dhe që janë shqetësim edhe për neve...ne do të jemi shumë të kujdesshëm, do të vlerësojmë çdo element, do të vlerësojmë çdo fazë të ecjes, qoftë ajo edhe brenda 24 orëve, do të vlerësojmë çdo institucion publik e privat, edhe ato të gastronomisë, çdo person që mundet të jetë i infektuar dhe ta shpërndaj infeksionin, që ne të përballemi me infeksionin. Vendet evropian edhe me sistemet më të avancuara shëndetësore janë duke u përballur me një numër të madh të rritjes së infeksionit. Po ashtu, edhe vendet e rajonit. Nuk është vlerësim që të ekzaltohemi ne tash e të shkojmë me lirim të tepruar të masave“, tha ai.

Zemaj shtoi se fal punës të të gjitha institucioneve shëndetësore, por edhe kryetarëve të komunave, policisë, inspektoratit, zjarrfikësve dhe institucione tjera, është një situatë më e qetë i gjendjes me Covid-19, dhe si rezultat i kësaj, Qeveria ka heq disa masa.

“Heqjen e kufizimit në lëvizje, zgjatjen e orarit të gastronomisë, lejimin e disa aktiviteteve sportive e kulturore, dhe disa masa të tjera të cilat u japin më shumë frymëmarrje veprimtarive tjera ekonomike me qëllim që edhe ato të zhvillohen gradualisht por pas një faze të vështirë, si për sektorin shëndetësor ashtu edhe për ekonominë në republikën tonë. Të gjitha aktivitetet e liruara dhe ato që janë liruar më parë duke u bazuar ekskluzivisht duke u bazuar në protokollet përkatëse sektoriale dhe në udhëzimet e Manualit për ndalimin e përhapjes së Covid-19.....për ata që i shkelin rregullat, më nuk do të shqiptohen vërejtje paraprake, por do të shkohet drejtpërdrejt në gjoba dhe urojmë të mos ndodh, por do të shkohet edhe në mbyllje të lokaleve apo veprimtarive që i shkelin rregullat e përcaktuara për menaxhimin e Covid-19“, ka thënë Zemaj.

Ai shtoi se këto ditë është duke qëndruar në Kosovë një ekip i ekspertëve nga instituti “Robert Koh”,nga Gjermania i cili po analizon reagimin dhe nevojat e institucioneve të Kosovës dhe po punojnë që të reagojnë duke marrë përvojat e Gjermanisë.

Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, tha se gjatë dy javëve të fundit ka një rënie të dukshëm.

Ramadani: 44 përqind të zvogëlimit të rasteve

“Situata epidemiologjike në dy javët e fundit ka një rënie të dukshme që shprehur në përqindje paraqet 44 përqind të zvogëlimit të rasteve të gjithëmbarshme. Kurse, gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 560 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 46 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar dy raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 15.425 raste nga 65.454 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 619 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 77 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.165 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.641“, ka thënë ai.

Ai tha se rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 21 raste, komuna Drenas 3 raste, komuna Ferizaj 3 raste, komuna Fushë Kosovë 3 raste, komuna Suharekë 3 raste, komuna Vushtrri 3 raste, komuna Gjilan 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Gjakovë, Kamenicë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë dhe Viti.

Zemaj tha se dje ka nënshkruar vendimin për masat e përgjithshme mbrojtëse dhe për përdorimin e maskës mbrojtëse në mënyrë obliguese, kurse, me qëllim që qytetarëve t’u lehtësojmë informimin se ku duhet dhe ku nuk duhet bartur maskën dhe gjithashtu edhe institucioneve zbatuese, kanë vënë në dispozicion edhe udhëzuesin për përdorimin e maskës mbrojtëse dhe mbulesave të fytyrës në komunitet të përgatitur nga ekspertët e tyre, duke u referuar edhe në praktikat dhe udhëzimet që kanë bërë OBSH dhe ECDC.

Ai shtoi se këto ditë do të shtojnë numrin e inspektorëve për 75, që bashkë me Policinë e Kosovës do të ndihmojnë në zbatimin e masave të reja.


MË SHUME NGA Aktuale