Infektologu Ibishi: Ndaj Covid-19 pa panik
Në emisionin “Studio e hapur” në RTK, infektologu Haxhi Ibishi, foli për ecurinë e gjendjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, me theks të veçantë në Klinë, ku ishte vatra e parë e shpërthimit të kësaj pandemie.
Ai theksoi se shpërthimi i parë i kësaj pandemie ishte në komunën e Klinës, ku stafi i shëndetësisë kosovare dhe jo vetëm, por edhe në gjithë botën ka qenë i papërgatitur pë një virus të tillë që shumë shpejtë mori përmasat e një pandemie.
“Klina ka qenë vatra e parë ku është shfaqur virusi COVID-19 nga një shtetase italiane, e cila ka punuar në organizatën ndërkombëtare humanitare “Caritas”, ku ka punuar në një fshat në rrrethinën e Klinës, ku me 13 mars është konfirmu si rast i parë dhe që nga ajo ditë ne jemi angazhuar me gjithë potencialin në gjendje gatishmërie në sanimin e gjendjes”, theksoi infektologu Ibishi.
Duke folur për gjendjen shëndetësore nëpër qendrat tjera mjekësore në Kosovë, si psh. Ferizaj, Prizren,etj., infektologu Ibishi vlerësoi lart organizimin e stafit mjekësor atje, sidomos atë të mjekësisë sekondare.
Ndërkaq, lidhur me organizimin e mjeksësisë primare, infektologu Ibishi sqaroi se janë dy periudha të vlerësimit të pandemisë: periudha e karantinimit të thellë dhe pas saj.
“Në periudhën e parë, Kosova iu ka përmbajtur kritereve në mënyrë strikte karantinimit të popullësisë, ku është pamundësu bartja e virusit, dukë kufizuar edhe numrin e vdekshmërisë nga ky virus. Ndërkaq me hapjen nga karantinimi vërehet se ajo hapje nuk është bërë shkallë-shkallë, por në mënyrë të shpejtë ku për pasojë ka pasur përhapjen ma të madhe, sepse virusi ishte prezent”, deklaroi infektologu Ibishi.
Më tej, infektologu Ibishi rrëfeu për organizimin e qendrës mjekësore në Klinë në bashkëpunim me ISHKP në parandalimin e përhapjes së pandemisë atje.RTKLive























