Igumeni Janjiq: Novosti i papërgjegjshëm, Vuçiq e quan kulmi i gazetarisë
Gazeta propaganduese dhe dezinformuese serbe “Novosti”, e njohur si përkrahëse ekstreme e politikave të Vuçiqit, dje në portalin e saj postoi një video ku shihen disa persona duke hequr flamurin shqiptar në Koshare.
Kjo gazetë e botoi edhe një artikull të veçantë për ketë çështje në faqen e parë të versionit të printuar të saj. Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, përmes Facebookut të tij personal, reagoi ashpër ndaj veprimit të këtyre personave që shihen në video, duke i quajtur të papërgjegjshëm ata dhe mediat të cilat kanë postuar videot e tyre.
Në anën tjetër, Presidenti serb Aleksander Vuçiq ka vetëm fjalë miradie për “Novostin” në prag të përvjetorit të 67-të të këtij mediumi. “Për dekada, “Novosti” arriti të ruajë standarde të larta gazetareske dhe editoriale, të cilat u reflektuan në zgjedhjen e temave përkatëse dhe bashkëbiseduesve, si dhe në informacionin në kohë me interes për të gjithë qytetarët tanë, madje edhe në kohërat më sfiduese.
Vetë fakti i mbijetesës së gjatë në skenën mediatike, suksesi në ruajtjen e integritetit dhe publiku i gjerë i lexuesve flet shumë për reputacionin e gazetës “Novosti” dhe gazetarëve dhe redaktorëve të saj. Duke ndërtuar një reputacion me punën e palodhur dhe përkushtimin e të gjithë punonjësve, “Novosti” e ka pozicionuar veten në kulmin më të lartë të profesionit gazetar, si përnga cilësia e përmbajtjes së shumtë dhe të larmishme, ashtu edhe për nga stili i veçantë i gazetarisë.























