Ambasadorja Telaku i dorëzoi letrat kredenciale te presidenti i Panamasë

Ambasadorja Telaku i dorëzoi letrat kredenciale te presidenti i Panamasë

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, Heroina Telaku, i dorëzoi të hënën letrat kredenciale te presidenti i Republikës së Panamasë, Laurentino Cortizo Cohen.

Ceremonia solemne e dorëzimit të letrave kredenciale është zhvilluar në Pallatin Presidencial të Panamasë “Las Garzas” me një pritje të gardës ceremonial. Prezent në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme i Panamasë, Alejandro Ferrer.

Pas pjesës ceremoniale, e cila këtë herë ishte më ndryshe për shkak të situatës me pandeminë, në një bisedë të shkurtër me presidentin Cortizo, ambasadorja Telaku i përcolli përshëndetjet e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me falënderimin për përkrahjen dhe bashkëpunimin që Panamaja i ka ofruar Kosovës ndër vite.

Ambasadorja Telaku shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për thellimin e këtij bashkëpunimi të shumanshëm ndërmjet Kosovës dhe Panamasë si dhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Presidenti i Republikës së Panamasë, Laurentino Cortizo Cohen i uroj mirëseardhje ambasadores Telaku në misionin e saj në Panama dhe shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Ai, po ashtu, e uroi Ambasadoren Telaku dhe Republikën e Kosovës për Marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington në shtator të këtij viti.

Ambasadorja Telaku, është ambasadorja e dytë e Kosovës në Panama. Para se të emërohej ambasadore në Panama, Telaku ka shërbyer si e ngarkuar me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër.


MË SHUME NGA Aktuale