U promovua libri “Naim Frashëri” i Sabri Hamitit

U promovua libri “Naim Frashëri” i Sabri Hamitit

Në kuadër të veprimtarive për shënimin e 120-vjetorit të e kalimit në amshim të Naim Frashërit, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Albas”, sot ka promovuar librin më të ri të akademik Sabri Hamitit, “Naim Frashëri”.

Më 20 tetor 1900 ka mbyllur sytë për herë të fundit Naim Frashëri, poeti kombëtar shqiptar dhe njëri ndër romantikët më të mëdhenj të kombit tonë. Në 120-vjetorin e kalimit të tij në amshim Muzeu Historik Kombëtar ka inauguruar një ekspozitë për të nderuar jetën dhe veprën e poetit Naim Frashëri si dhe ka organizuar promovimin e librit më të ri monografik “Naim Frashëri” të akademik Sabri Hamitit.

Në ambient të hapur për shkak të rrethanave të ditura, në prani të shkrimtarëve, studiuesve dhe dashamirëve të librit, por edhe të udhëheqësve shpirtërorë të Bektashizmit, për librin e Sabri Hamitit foli studiuesja dhe ligjëruesja e letërsisë, Persida Asllani.

Duke përvijuar ngulmimin e autorit Hamiti në leximin sistematik e të vijueshëm, vit mbas viti teksteve poetike të Naim Frashërit, studiuesja Asllani thekson se “Prej këndej buron këmbëngulja e skajshme për ta sjellë tekstin në lexim sa më pranë botimit të parë, për t’iu kthyer atij me lexime të vijueshme dhe pasuruese sa herë që ia dikton shqisa e vet. Atëherë takohemi përnjëmend me Naimin që himnizon përjetësisht gjuhën, atdheun, heroiken, dashurinë e bukurinë, Naimin e lirikës personale e mistike, Naimin që vajton, Naimin që mrekullohet, Naimin e utopisë dhe ëndrrës, mirësisë e melankolisë, Naimin e Skënderbeut, Naimin e bektashizmës së frymëzuar e sidomos Naimin e zemrës, atë të lexuar për herë të parë e që mbetet thelbi i çdo rileximi, sado i shtyrë në kohë qoftë ai.”

Vetë autori Hamiti theksoi se Naim Frashëri të gjithë librat e tij në shqip i shkroi brenda një dekade (1886-1895), ndërsa lëngoi nga sëmundja në 5 vjetët e fundit të jetës. “Ai është i lindur si poet lirik. Në këtë vështrim, logjikisht, të menduarit të çon te ‘Lulet e verës’ si libri më i mirë lirik i tij”, vlerësoi Hamiti. Libri është botuar në edicion të shtëpisë botuese “Albas” nga Tirana.