“Linga e heshtjes” thyen heshtjen e poetit Salihu

“Linga e heshtjes” thyen heshtjen e poetit Salihu

“Linga e heshtjes” titullohet libri i ri me poezi i poetit gjilanas Bujar Salihu, i cili, sipas shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka veçanti të shumta gjuhësore dhe tematike.

“26 vjet më parë, në moshën 22 vjeçe, një libër me poezi e botoi në dy gjuhë, në shqip dhe në frëngjisht. Pas botimit të librit të parë më 1994, i botoi edhe dy të tjerë dhe, me disa autorë shqiptarë, foli në disa gjuhë pasi disa përgatitës hartuan antologji me poezi shqipe. Veçantitë e tij letrare i kemi vënë re qëmoti, por edhe i kanë zënë ngoje Ali Podrimja, Shaip Beqiri, Mustafë Xhemaili, Arif Molliqi, Faik Shkodra, Xhemail Ahmeti, Nexhat Rexha e ndonjë tjetër që tash s’po na kujtohet. Prandaj, duke pasur veçanti më tepër se disa poetë të tjerë e duke qenë poezia e tij objekt krahasimi me atë të A. Tufës, L. Leshanakut, A. Balës, B. Cufajt, V. Berishës, R. Zekthit, I. Belliut, D. Gashit, M. Mavrajt, Xh. Beqirit, L. Arapit, Rr. Paçarizit, E. Hatibit etj., disa poezi të Bujar Salihut i kemi botuar në revistën Akademia. Me kalimin e viteve, ai duke shtuar veçantitë gjuhësore dhe tematike në poezi e ne duke veneruar krijimet e tij, këtë herë i botojmë këtë libër, i cili një shok tjetër e ka të rrallë. Lexojini të gjitha poezitë e këtij libri, por mos harroni t’i lexoni poezitë Dita jote e fundit, Buka, Eja të pajtohemi, Veshkat e vyshkura, Hija e qershisë, S’e mbajte premtimin, E përvajshme, Puthje, Mbrëmë, Në vend të pasthënies dhe t’i mësoni përmendësh sepse fjalët, fjalitë, figurat, temat dhe motivet e tyre ju duhen shumë në jetën e përditshme”, ka shkruar shtëpia botuese “Armagedoni” në kapakun prapa të librit.

 

Shënime për autorin

Bujar Salihu (1972) është nga Pogragja e Gjilanit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan. Në vitin 1990 filloi studimet në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës por, për shkak të rrethanave politike, u detyrua t’i braktisë ato dhe Kosovën. Që nga viti 1992 jeton në Zvicër. Ka botuar përmbledhjet poetike: Në xipat e vetmisë (1994), Më pak se jetë (1997), Skeleti i dallëndyshes (2002). Poezitë e tij janë botuar në disa antologji poetike dhe janë përkthyer në disa gjuhë të mëdha. Është fitues i disa çmimeve letrare. Linga e heshtjes është libri i tij i katërt.

 

Poezi nga libri i botuar

 

DITA JOTE E FUNDIT

 

Tim atit në një përvjetor

 

Unë kisha bërë mijëra milje fluturimi atë ditë

Dhe po të prisja para Spitalit Amerikan në Prishtinë

Pak para orës dhjetë

Nën sirena të ndjera të solli një autoambulancë

Doktori të pa dhe ishte shumë i prerë:

Spitali ynë është i ri për t’i kuruar sëmundjet me

avantazhe të Babait tënd

Nisja drejt Tiranës mund të jetë fatale

Opsion të vetëm e ke Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Kushtet janë të rënda po aty megjithatë kanë aparat dialize

Bëhu gati për të gjitha

 

Dhe përsëri sirena autoambulanca

Një udhë që më bëhej se po ngushtohej

Qendra Klinike Universitare e Kosovës shpresa e fundit

Po administrata e saj pa fije turpi

Donte të thoshte le të vdesë në livadh ky Mësues i vyshkur

Me kontributet e të cilit ishte ndërtuar edhe ky Spital
Veç dr. Bajgora nuk lëshonte pe

Duhet t’i japim ndihmë edhe këtij qytetari

 

Baba më bërtiste ta ktheja në shtëpi

Më mirë se të gjitha aparaturat e kishte mësuar diagnozën e vet

Po unë si i pashpirt që isha nuk doja të dëgjoja për lutjet e tij

 

Ani pse edhe unë i shihja shenjat e vdekjes që i fluturonin sipër

Isha fort i sigurt që ajo mund të ishte dita e fundit e jetës së tij

 

Klinika Infektive dhe dera e saj e ngushtë që shtratin s’e zinte

Qe stacioni i fundit ku një mjeke e mirë me kompetencë më shpjegonte

Për zhvillimin e hovshëm të metastazave

Më fliste për fshikëzën mëlçinë edhe toksitet në gjak
Derisa Ai merrte frymë thellë

Në ekran shihja frekuencat e frikshme me alarm morti

Motrat në përpjekjen e tyre për t’ia kthyer frymën
Mjeku ngurronte të më thoshte se ndërroi jetë

Në 21:10 ishte çasti kur unë e preka trupin që s’po merrte frymë më

 

Babo ti ndoshta s’e mësove kurrë që katër qershori nuk ishte dita jote e fundit

Të nesërmen e pritëm me ty dhe shiun kristal që ra qetë tërë ditën në ne

Ka vite që provoj ta zgjidh enigmën e mbretëreshës me kuajt e zënë në betejë

Veç emri yt edhe do ligje të natyrës dalin të mos jenë aspak ekzakte

Për Shpirtin tënd lërmë t’i vë një titull matematik kësaj poezie pa shpirt

Për shembull: “Mësuesi që vdekjen e vet e shtronte si një ekuacion”

 

BUKA

 

Buka është e shenjtë bir

Po të ra në tokë

Përulu merre puthe e ngrehe sa më lart

Kurrë mos e shkel as mos e përmbys

Se na mallkon Zoti e na lë pa të

Më thoshte Nëna Plakë

 

Në verën e vitit 1983 kur ajo s’jetonte më

Ani se unë kurrë nuk e kisha shkelur këshillën e saj

Vendin e kishte kapluar kriza e madhe e bukës

 

Unë si njëmbëdhjetëvjeçar shkoja të blija bukë

Para furrës boshe me dyer të mbyllura

Bashkë me turmën prisja me orë

Kur piqeshin ato pak bukë

Më shtynte turma më ndrydhte si tulin

Dhe unë kthehesha në shtëpi si kore e thatë

Pa bukë…

 

VESHKAT E VYSHKURA

 

Veshka të vyshkura

U konstatua në raportin e biopsisë

Të Klinikës Nefrologjike në Spitalin Universitar të Cyrihut

Shkaqet janë të panjohura

Ndoshta gjithmonë paskam jetuar me etjen tënde

 

Nefrologu më shkroi një terapi të përjetshme

Dymbëdhjetë miligramë kandesartan esëll

Dhe shumë litra ujë në ditë

Po etja për ty nuk u shuaka dot

 

HIJA E QERSHISË

 

Mes shumë pemësh në oborr

Ty të mbaj mend të vogël sa unë pesë vjeç

Nëna thoshte se ke mbirë vetë prej të afshit dhe

E unë gjithmonë doja të besoja

Se ti ke pikur nga qielli në një ditë me shi

 

Ti u rrite shpejt e unë mbeta i vogli yt

Të doja si nënën

Nën hijen tënde rritesha si dre

Sytë e degët e tua më ruanin nga breshri

 

Tek rrënjët të buronte uji i ftohtë

Dhe e pija sa herë kisha etje

Jam rritur si zog ndër degët e tua të njoma

Më e bukura e oborrit tim plot pemë

Sa gëzohesha kur t’i shihja lulet e para

Sa e shijoja frytin tënd të parë gjak të ëmbël

 

PUTHJE

 

 

Kisha vite

Që po lëngoja

Në shtratin e vetmisë

Papritmas

Ti erdhe

E butë si drenushë

Më puthe

Ndjeva se po ma ktheje

Shpirtin

Kur hapa sytë

Ti ishe nisur

Në ikje

Vetëm copëza dritash

Pashë të vinin

Si vetëtima pas teje

 

Librin, që nga sot, e gjeni në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë, kurse nga java e ardhshme në librarinë “Altera” në Prizren, “Tomori” në Gjakovë, “Rilindja” në Ferizaj.


MË SHUME NGA Kulturë