Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë festoi 100-vjetorin

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë festoi 100-vjetorin

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë të enjten ka festuar 100-vjetorin e krijimit të saj dhe me këtë rast në ambientet e Kryeminstrisë është hapur një ekspozitë e veçantë me libra të rrallë që shfaqen për herë të parë për publikun.

I pranishëm në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili tha se për shkak të pandemisë nuk mund të kremtonin siç duhet këtë 100-vjetor.

“Është një fatkeqësi më vete që në një moment kaq të vështirë për Bibliotekën Kombëtare kur kremtimi i 100-vjetorit është një detyrim, koha e keqe në të cilën ky 100-vjetor ndodh na detyron të jemi shumë kopracë në këtë kremtim në aspektin e hapësirave”.

Kryeministri Rama në fjalën e tij tha se do të finalizojë projektin e nisur për ndërtimin e godinës së re të Bibliotekës Kombëtare që ka mbetur në mes për shkak të pandemisë dhe tërmetit.

“Do kishte qenë më bukur që këtë 100-vjetor ta kremtonin në godinën e Bibliotekës së re Kombëtare por projekti i nisur me shumë dëshirë dhe i futur në procesin e formësimit të tij. Rrënojat e tërmetit që duhen kthyer në shtëpi, iu mbivendos edhe goditja e rëndë për shkak të Covidit. Megjithatë projekti e ka nisur rrugën e tij dhe unë kam besim se do të shkojë deri në fund edhe pse nuk mund ta them sot se kur”.

Ekspozita me librat e rallë nga autorë të huaj dhe shqiptarë do të jetë e hapur për publikun në ambientet e Kryeministrisë deri më datën 31 Tetor.


MË SHUME NGA Kulturë