Meta: Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të sillte përfitime

Meta: Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të sillte përfitime

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se Kosova është faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Meta, përmes një postimi në “Facebook”, me rastin e 75 vjetorit të themelimit të OKB-së, theksoi se nëse Kosova do të anëtarësohej në të gjitha organizatat nërkombëtare, do të sillte përfitime në gjithë bashkësinë ndërkombëtare.

“Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në postimin e presidentit shqiptar.

Meta, në 75 vjetorin e themelimit të OKB-së, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria ka marrë nga kjo organizatë për 65 vjet me radhë, nga anëtarësimi i saj.

“Në këtë 75-vjetor të Organizatës sonë, shprehim mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që kemi marrë nga OKB, që provoi edhe në këtë vit fatkeqësish natyrore për vendin tonë, se ishte një partnere e vërtetë, veçanërisht me ndihmën e dhënë për tejkalimin e pasojave të tërmetit tragjik dhe përballimit të COVID-19.

Shqipëri ka përqafuar dhe ka zbatuar parimet e Kartës së OKB-së dhe ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe sigurisë, sepse besojmë fort se multilateralizmi është thelbësor për trajtimin e sfidave globale”, shkruan mes tjerash, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.


MË SHUME NGA Aktuale