Përfundoi edicioni i 8-të i "Muzave të Alpeve" - Çmimi "TEUTA" Spahiut
Ka përfunduar edicioni i 8-të i Manifestimit Letrar Trekufitar "Muzat e Alpe ve 2020", në kuadër të të cilit karvani i Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve "TEUTA" duke respektuar masat kundër shtrirjes së pandemisë globale, filloi aktivitetet artistike në Galerinë e Arteve në Pejë, me ekspozitën e pikturës "Gjurmë Kosove", të akademikut Zuvdija Hoxhiq Berisha, e para e tij në Kosovë për të cilën foli kuratori Naser Shatrolli.
Aktivitetet vazhduan në Komunën e Klinës, me vizitën në muzeun privat "LYRA", për të vazhduar me mbrëmjen poetike "TEUTA" për laureatët e saj", kushtuar Xhevahir Spahiut dhe Moikom Zeqos. Mbrëmja përmbyll me këmbime kulturore dhe deklamim poezish.
Pjesa qendrore e manifestimit u mbajt në Petnjicë, ku shkrimtarët shqiptarë dhe ata malazezë u pritën nga përfaqësues të komunës dhe të kulturës në Qendrën e Kulturës në Petnjicë. Me këtë rast u promovua libri me poezi të përzgjedhura i prof.Agim Vincës, "Andjeli propovjedaju jutrom", në përkthim të Smajl Smakës, redakturë të Hasnija Muratagiq dhe parathënie të Mirash Martinoviq, si dhe përmbledhja me poezi të përzgjedhura e Xhevahir Spahiut "Moji dugovi"-botim i "TEUTËS", përkthyer nga Nikollë Berishaj, me përzgjedhje të Xhevat Limanit dhe Jeta Beqiraj, e në redakturë të akademikëve Jevrem Bërkoviq dhe Zuvdija Hoxhiq Berisha. Ndërsa, tradicionalisht manifestimi u mbyll me ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore "TEUTA" i cili sivjet nga Mali i Zi kaloi në Shqipëri, gjëgjsisht nga Zuvdija Hoxhiq Berisha te Xhevahir Spahiu me motivacion: "Skalitës i shkëlqyer i fjalës dhe i zbulimeve të papritura të thellësive të saj, si rrënjë dhe qiell në botën shqiptare, "edhe në lëvizjen e saj nga një pikë e vdekur", siç thotë vetë një varg i poetit. Poezia e Xhevahir Spahiut, shoqëron breza të tërë si shprehës i mbijetesës dhe i modernizmit, si shpirt dhe krenari për të qënë bir i një toke të përndritur nga bukuria njerëzore. Adhuruesi i tekstit poetik dhe teksteve të këngës së Xhevahir Spahiut, do të ndjejë gjithëmonë fuqinë për ta transformuar fjalën dhe për të arritur së bashku me poetin në majat e artit poetik të shqipes"(Arsyetim i "TEUTËS",përg.Natasha Lako).
Xhevahir Spahiu, të cilit rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë ia pamundësuan pjesëmarrjen në Petnjicë, iu drejtua të pranishmëve me një letër falenderimi, në të cilën ndër të tjera thuhet: "Do të kisha dashur të jem pranë jush të përjetoja këto çaste emocionuese bashkë me ju. Megjithëse situata e pandemisë e bëri të pamundur praninë time në ndarjen e këtij çmimi, zemra dhe mendja ime janë aty. Një falenderim të veçantë Shoqatës "TEUTA" për aktivitetet e saj që sjellin së bashku krijuesit dhe kuturat e këtij rajoni kaq të pasur, duke ndarë emocione e bashkuar zemrat e njerëzve. Faleminderit nga zemra! Me dashuri, Xhevahir Spahiu".
Karvani i "TEUTËS" "Muzat e Alpeve" përgjatë viteve 2013-2019 ka përshkuar 17 komuna dhe bashki të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë, si: Pejë, Kotorr, Rozhajë, Bajram Curr, Plavë Guci, Junik, Istog, Shkodër, Tuz, Gjakovë, Ulqin, Krujë, Tivar, Lezhë, Prizren dhe sivjet, Klinë dhe Petnjicë. Laureatë të deritanishëm të Çmimit për Vepër Jetësore "TEUTA" janë shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe dhe malazeze: Jevrem Brkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq, Moikom Zeqo, Nazmi Rrahmani, Zuvdija Hoxhiq Berisha përkrah të cilëve sivjet u radhit edhe laureati i denjë, Xhevahir Spahiu. "TEUTA", mbështetur nga institucione vendore dhe ndërkombtare, me 2014 implementoi edhe turin 4 ditor "Shkrimtarët lobojnë për Kosovën", në Rumani; njëri ndër të 5 shtetet e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën shtet. Ndërsa, realizimin e edicionit të 8-të të Manifestimit Letrar Trekufitar "Muzat e Alpeve 2020" e mundësuan Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, Komuna e Pejës dhe Komuna e Petnjicës.























