Kadrijaj: BE mjaft më me standarde të dyfishta
Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, në debatin parlamentar për të pagjeturit, tha se çështja e personave të zhdukur nga koha e luftës vazhdon të mbetet një plagë e rëndë për Kosovën e sidomos për familjarët e tyre.
Ajo ka përkujtuar se Kosova ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë, me 15 mijë të vrarë, qindra masakra, 1200 fëmijë të vrarë dhe 20 mijë gra të dhunuara.
Edhe pas 21 vjet pas përfundimit të luftës, Kadrijaj tha se janë edhe 1600 të pa gjetur dhe me ekonomi të shkatërruar, ndërsa pati edhe një porosi për BE-në.
“Përkundër të gjitha këtyre, Kosova pranoi të dialogojë për normalizim të raporteve fqinjësore duke dashur të ecë përpara drejt integrimit evropian, me zotimin se të dyja palët do të bashkëpunojnë dhe s’do të pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësimin ndërkombëtar. Zotimet për fqinjësi të mirë nuk u respektuan asnjë herë nga pala serbe. Për të gjitha këto nuk u respektuan as marrëveshjet, as ato që u arritën në Bruksel. Demokracia dhe drejtësia evropiane nuk po shihet, sepse ata po përkrahin agresorin dhe jo viktimën dhe po bëjnë trysni ndaj Kosovës dhe ndaj palës që ka bërë luftën çlirimtare… Serbia ka bërë krime, e gjykata për krime të luftës u bë në Kosovë për të gjykuar çlirimtarët dhe vendin që bëri luftë çlirimtare. E në fund një apel për BE-në, mjaft më me standarde të dyfishta!”, tha Kadrijaj.























