Prezonimi i pafajësisë vlen për secilin për sa kohë s`ka një aktvendim
Është një padrejtësi deri në qiell që Gjykata Speciale nuk ka në plan ndjekjen e krimeve të kryera nga serbët. Në fakt, një Gjykatë e tillë Speciale duhet të themelohet edhe për Serbinë dhe kjo sa më shpejt që është e mundur, thekson Christian Hoferer, kryetar i organizatës Rinia Panevropiane në Bavari të Gjermanisë.
Prezonimi i pafajësisë vlen për secilin person për sa kohë nuk ka një aktvendim të gjykatës, shprehet Hoferer për RTK-Radio. “Në anën tjetër është një padrejtësi deri në qiell që një gjykatë e tillë nuk ka në plan ndjekjen e krimeve të kryera nga serbët. Në fakt, një Gjykatë e tillë Speciale duhet të themelohet edhe për Serbinë dhe kjo sa më shpejt që është e mundur, thekson ai. “Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duhet të angazhohen dhe të bëjnë presion që të formohet edhe një gjykatë për krimet serbe”, nënvizon Christian Hoferer.
I pyetur nëse do të ketë ndryshim në politikën e SHBA-së në raport me Kosovën, në rast se fiton demokrati Biden, Hoferer shprehet se:
“Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, SHBA-ja, nuk do të ketë ndonjë ndryshim thelbësor në politikën e jashtme. SHBA-ja ka të përcaktuara linjat e saja afatgjata në raport me Kosovën dhe Ballkanin dhe ato do të mbeten të pandryshuara edhe nëse fiton Xho Bajden”, thotë Hoferer. “Ajo që mund të ndryshojë është stili dhe mënyra se si amerikanët sillen me shtete të tjera. Personalisht nuk shoh ndryshime qenësore mes SHBA-së dhe partnerëve aleatë në çështjet e rëndësishme gjeostrategjike”, thekson ai.
Për zhvillimet në Qeverinë dhe Parlamentin Hoferer shprehet se nuk ka qejf të përzihet në çështjet e brendshme politike në Kosovës. Megjithatë, ai thotë se “Qeveria aktuale në mënyrë të përsëritur ka vështirësi për sigurimin e një shumice solide në parlament. Shpesh dështojnë votimet dhe miratimet e ligjeve për një apo dy vota. Kjo dëmton stabilitetin e vendit në këtë kohë, kur Kosova ndodhet para vendimeve të rëndësishme: si janë zhvillimi ekonomik, dialogu, lufta me pandeminë etj” shprehet teksa shton se “ duhet krijuar rrethana për të gjetur një rrugë që të dilet nga kjo situatë në Parlament.”
Për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Hoferer shprehet se aktualisht pikrëndesa dhe pengesa kryesore në këtë çështje është Franca. Për këtë duhet angazhim më i madh, në mënyrë që ky vend të bindet përmes argumenteve që të pajtohet për liberalizimin e vizave. Këtu edhe më shumë se deri më tani, duhet të ndihmojë edhe Gjermania, konstaton Hoferer./Fadil Gashi























