Thiago Silva ka një kërkesë për Frank Lampard
Qendërmbrojtësi i Chelseat, Thiago Silva, ka deklaruar se ai ndihet krenar që luan nën urdhërat e trajnerit Frank Lampard, por që shpreson se klubi nga Londra do t’i ofrojë rinovim të kontratës në fund të sezonit.
Ashtu sikur shumë lojtarë të vjetër në Chelsea viteve të kaluara, edhe 36 vjeçari brazilian duhet të negociojë çdo vit kontratën e tij me klubin.
Silva iu bashkua “Bluve” të Londrës si transfer i lirë gjate afatit kalimtar të verës së kaluar dhe deri më tani ka dëshmuar me paraqitjet e tij se e meriton vazhdimin e kontratës.
“Jam shumë krenar që stërvitem nga dikush që ishte njëri nga mesfushorët më të mirë në botë”, tha ish-lojtari i Paris–Sain-Germain.
“Ne i shkëmbejmë përvojat tona dhe ai flet shumë me mua si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Unë kam mësuar shumë nga eksperiencat e mia me klubet tjera dhe mund t’i ndihmoj lojtarët e rinjë. Kjo është eksperienca ime e parë në Premierligë. Shpresoj të vazhdoj të luaj mirë dhe që kontrata ime të vazhdohet”, tha në fund Thiago Silva.























