PSG tregon interes për shërbimet e Ramos
BKT
Sport

PSG tregon interes për shërbimet e Ramos

Rinovimi i Sergio Ramosit vazhdon të jetë temë kryesore në shtëpinë e Realit të Madridit. Kontrata aktuale e mbrojtësit të qendrës përfundon më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Sipas prestigjiozes spanjolle “AS”, për 34-vjeçarin ka interes konkret nga Paris Saint Germain, që është gati t’i ofrojë kontratë 3-vjeçare, nga e cila vetë futbollisti do të përfitonte 20 milionë euro në sezon, transmeton Super Sport. 

Ky propozim, nëse materializohet, do të ishte joshës për Ramosin, pasi në moshën 34-vjeçare do të nënshkruante kontratën e fundit, por “faraonike”, të karrierës së tij, duke u bërë pjesë e një tjetër klubi të madh.

Në fakt, prioriteti i mbrojtësit andaluzian është që të vazhdojë në Madrid, por në kampin e “Los Blancos” është në fuqi prej një kohe të gjatë një rregull, që nuk lejon nënshkrimin më shumë se për një vit me futbollistët mbi 30-vjeç. Nga ky rregull bëri përjashtim vetëm Cristiano Ronaldo, që rinovoi për tri vite kur ishte 31-vjeç.

Në rastin e Ramosit, klubi mbretëror dëshiron t’i ofrojë atij kontratë 1 + 1, me rrezikun që marrëveshja të prishet në sezonin e dytë. Ramos dëshiron që të jenë sezone të sigurta. Mbetet për t’u parë se si do të ndikojë oferta e PSG-së në vendimin e mbrojtësit të përfaqësueses së Spanjës.