Xhamia e Mazhiqit në Mitrovicë, sot gërmadhë

Xhamia e Mazhiqit në Mitrovicë, sot gërmadhë

Në kilometrin e trembëdhjetë në dalje të qytetit të Mitrovicës, në fshatin Mazhiq, përskaj rrugës, në krahun e djathtë, mund t’i shohim rrënojat e një xhamie të vjetër, e cila quhet xhamia e Mazhiqit. Është objekt i vjetër kulti, i ndërtuar në shekullin XVI (gjashtëmbëdhjetë), konkretisht në vitin 1549, pra në fund të gjysmës së parë të këtij shekulli.

Objekti i mbetur i kësaj xhamie është zyrtarisht nën mbrojtje në listën e monumenteve të mbrojtura por, realisht, është pa përkujdesje institucionale. Njeriu, në anën e epërme të rrugës, e ka të vështirë të hyjë në të. Në anën e poshtme të saj, hyn kushdo. Por, nëse dëshironi ta vizitoni duhet të gjendeni disi, të rrëshqisni paksa, ose t’i kapërceni gardhet e saj me thera dhe me gurë rreth këtij monumenti, i cili që nga viti 2012 është përcaktuar si monument i kulturës në Kosovë.

Xhamia e Mazhiqit llogaritet një ndër xhamitë më të vjetra në rajonin e Mitrovicës dhe të Shalës së Bajgorës dhe ka një rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore islame në vendin tonë. Vlera e saj është tek arkitektura e veçantë orientale dhe te varrezat e vjetra dhe mbishkrimet e vjetra në gurët e varreve në oborrin e xhamisë. Nëse nuk do të ketë përkujdesje më të madhe nga institucionet komunale dhe shtetërore në të ardhmen, do të jetë shumë i vështirë deshifrimi i mbishkrimeve në gurë, meqë me kalimin e kohës po zbehet pamja e tyre.

Ky objekt ka nevojë për një konservim dhe kujdes të shtuar institucional. Përpos hapjes së një dere, një shtegu, ka nevojë edhe për vendosje të mbishkrimeve rreth një historiku të shkurtër të xhamisë që mungon në muret apo në hyrje të objektit. Po ashtu, ka nevojë për sinjalizues, për të treguar se ku ndodhet saktësisht kjo xhami, për shkak se është tejet e vështirë të gjendet, po qe se nuk e njeh mirë terrenin. Dhe jo të gjithë të interesuarit dhe kureshtarët mund ta njohin terrenin e Mitrovicës dhe të Shalës së Bajgorës. Kjo përkujdesje është e udhës të bëhet për shkak të krijimit të mundësive më të përshtatshme për t’u vizituar kjo xhami e vjetër nga vizitorët e ndryshëm, veçmas nga ata vizitorë që mund të cilësohen si turistë me interesime religjioze, të cilët mund të jenë kureshtarë për objekte të vjetra kulti dhe religjioni. Vendi ynë do të ishte mirë që t’i promovonte të gjitha mënyrat dhe format e turizmit kulturor, andaj edhe turizmi religjioz gjithsesi se bën pjesë në këtë dimension.

Xhamia e Mazhiqit, që ndodhet në fshatin me të njëjtin emër, në afërsi të Mitrovicës, i takon shekullit XVI, pra kohës kur Kosova ishte pjesë e Perandorisë Otomane dhe feja islame ishte përhapur në një masë të madhe te popullsia vendëse. Ndërtimi i një xhamie të tillë, që është cilësuar edhe si xhamia e Trepçës, ka shërbyer për banorët vendës, tashmë të islamizuar, për kryerjen e riteve fetare islame. Në bazë të arkitekturës së saj, shihet se ajo do të ketë qenë një xhami e rëndësishme për zonën e Mitrovicës dhe të Shalës së Bajgorës. Kjo xhami do të ketë qenë një qendër e rëndësishme religjioze islame. Ajo është e ndërtuar me gurë dhe tulla dhe me një bazë gurore. I takon arkitekturës otomane të ndërtimit të xhamive, ku spikasin kupolat dhe shkallët për t’u ngjitur në minare për ta thirrur ezanin. Shkallët kanë mbetur ende në këmbë, ndërsa kupolat jo. Më shumë ngjan në një rrënojë sesa në një objekt i mirëmbajtur i trashëgimisë kulturore islame në Kosovë. Ka mbetur në këmbë vetëm pjesa ballore dhe muret anësore, ndërsa pjesa tjetër është në rrënim e sipër. Andaj, konservimi i saj është i nevojshëm.

Sipas të dhënave, xhamia e Mazhiqit është ndërtuar nga arkitekti turk Muslihuddin Abdu’l-Gani në vitin 1549 sipas kalendarit që e njohim sot, ndërsa sipas kalendarit islam, kalendarit të hixhrit, është ndërtuar në vitin 956. I njëjti arkitekt thuhet se ka ndërtuar Kurshumli Hanin, Shëngyl Hamamin dhe Mesxhitin, si dhe një han që supozohet se do të ketë qenë i ndërtuar në afërsi të xhamisë së Mazhiqit.

Respekti dhe kujdesi ndaj vlerave trashëgimore religjioze, pavarësisht se cilit religjion i takojnë, e ndihmon diversitetin kulturor të qytetarëve të Kosovës.

(Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit kulturor “Observimi i traditës”, realizuar nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, Prishtinë. Fusnotat në artikull i hoqi redaksia).


MË SHUME NGA Kulturë