Lulëzon kriminaliteti online në Moskë

Lulëzon kriminaliteti online në Moskë

Sipas numërimeve të fundit të popullsisë, qyteti i Moskës numëron rreth 12 milionë banorë. Mirëpo, karakteristikë kryesore e kryeqytetit rus është niveli shumë i lartë i kriminalitetit.

Sipas statistikave zyrtare, vetëm në Moskë ndodhin rreth 300.000 krime në vit, kryesisht vrasje, vendosje të eksplozivëve dhe aktivitete të cilat lidhen me trafikimin dhe shitjen e narkotikëve.

Televizioni shtetëror rus RT, duke dashur që ta paraqesë “përkushtimin” e forcave të rendit, në fakt tregon kriminalitetin e rusëve dhe gjendjen e rëndë ekonomike, përkatësisht mundësitë e pasurimit të shpejtë përmes krimit.

Kriminelët në Rusi, kanë gjetur mënyra të reja për të zhvilluar lirshëm aktivitetin. Në një intervistë të dhënë nga Kolonel Evgeny Borodikhin, e i cili është Zv. Shef i Drejtorisë Kundër Narkotikëve në Moskë , ndër të tjerat thuhet se “kriminelët kanë hapur rreth 2000 dyqane online të cilat shesin lëndë narkotike përmes porosisë online”. Përfitimet për kriminelët llogariten rreth 150 milionë euro në vit vetëm në Moskë. I tërë krimi i organizuar në Rusi sipas tij, ka kaluar në trafikim të narkotikëve për shkak se është biznes shumë fitimprurës dhe kërkesa për drogë në Rusi është shumë e madhe. “Mendoj se i tërë krimi i organizuar në Rusi është i koncentruar në trafikimin e narkotikëve. Të gjitha paratë vijnë nga aty” tha ai.

Ai ka shprehur shqetësimet se, veçanërisht qyteti i Moskës ka një botë të tërë të nëndheshme e cila lulëzon në mes të bizneseve legale. “Në barnatore dhe farmaci, ka shitje legale, por është edhe një ekonomi e tërë e nëntokës”, ka thënë Borodikhin. Të gjitha barnatoret, në Moskë sipas tij, e kanë një linjë të veçantë në të cilën shiten substanca narkotike të ndaluara.