Tolaj për ilaçin “Remdesivir”: Të ndalohet përdorimi i tij në Kosovë

Tolaj për ilaçin “Remdesivir”: Të ndalohet përdorimi i tij në Kosovë

Paneli i Grupit për Zhvillimin e Udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha të premten se ilaçi Remdesivir nuk rekomandohet për pacientët me COVID-19, pavarësisht sa të sëmurë janë, sepse nuk ka dëshmi që ai e përmirëson shkallën e mbijetesës.

Derisa ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte premtuar se ilaçi Remdesivir antiCOVID, do të arrijë shumë shpejt në Kosovë, infektologu Ilir Tolaj thotë se përveç që nuk ka efekte pozitive, ky ilaç ka efekte anësore serioze dhe duhet të ndalohet përdorimi i tij në Kosovë.

“Studimet e mëhershme që nuk ishin shumë optimiste për efektin e Remdesivir në mjekimin e të sëmurëve me COVID-19, u vërtetuan me studimin e bërë nga OBSH, studim ky që është botuar në revistën prestigjioze për studime mjekësore BMJ. Në bazë të këtij studimi, del se Remdesivir nuk ka as edhe një efekt pozitiv në ecurinë e sëmundjes COVID-19, ndërsa ka efekte anësore serioze në organizmin e personave në të cilët ky ilaç jepet.

Po del se, si edhe në shumë herë në historinë e mjekësisë, se kompanitë farmaceutike kanë ndikim shumë të madh në agjencionet rregullatore që për detyrë kanë ta mbrojnë pacientin, siç është FDA, që të lejojnë përdorimin e një ilaçi që nuk ka efekt pozitiv fare dhe ka efekte negative potenciale”, tha Tolaj.

Madje Tolaj shton se institucionet në Kosovë duhet ta ndalojnë përdorimin e këtij ilaçi dhe të anulojnë blerjen e sasive të tij.

“Për këtë, autoritetet shëndetësore të Kosovës duhet ta ndalojnë përdorimin e tij në Kosovë dhe gjithashtu të anulojnë blerjen e sasive të konsiderueshme të këtij ilaçi të paefektshëm, gjë që e kanë paralajmëruar në media. Nëse nuk veprojnë dhe nëse e vazhdojnë blerjen atëherë kjo është shenjë e keqe për integritetin e tyre dhe do të zgjojë dyshime serioze për ndershmërinë e tyre”, thuhet tutje në përgjigjen e Tolajt për Sinjali.