KQZ: Gjithçka gati për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut
BKT
Lajme

KQZ: Gjithçka gati për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Podujeva dhe Mitrovica e Veriut do të votojnë të dielën për të zgjedhur kryetarin e komunës. Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka bërë të ditur se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Të dielën do të mbahet procesi i votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Detajet për Radio Kosovën i dha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Të gjitha materialet zgjedhore sensitive dhe ato josensitive janë  dërguar në komisionet zgjedhore të këtyre dy komunave. Ndërkaq materialet e ndjeshme zgjedhore përfshirë edhe fletëvotimet do të shpërndahen të dielën në mëngjes sipas planifikimeve të KQZ-së”, tha ai.

Elezi ka treguar se sipas rregullave të KQZ-se Qendrat e votimit do të hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00 në mbrëmje. Ai tregoi se sa persona kanë të drejtë vote në Komunën e Podujevës dhe atë të Mitrovicës se Veriut.
 

“Në komunën e Podujevës të drejtë vote, sipas listës përfundimtare kanë 87 mijë e 381 votues, të cilët janë të shpërndarë në 45 qendra të votimit me gjithsej 115 vendvotime. Ndërkaq numri i votuesve në Mitrovicën e Veriut është 23 mijë e 313”, tha Elezi.

 


MË SHUME NGA Lajme