Shala: Derisa ne merremi me zgjedhje, Serbia e Rusia po punojnë kundër nesh
Gazetari Mentor Shala në emisionin “Debat” të RTK-së ka thënë se derisa partitë tona merren me çështje të zgjedhjeve dhe se kush po del i pari, Kosova është futur në një qark të mbyllur dhe nuk është e rastësishme që në këtë drejtim punojnë edhe shtetet si Serbia, Rusia e tjera.
“Neve po dëshirojnë të na fusin në një qark të mbyllur që ne të merremi me çështje të parëndësishme në këtë drejtim. Shiheni se çfarë po bën Serbia kundër Kosovës, kundër shtetësisë së Kosovës, me propaganda, me gjëra që dihet qysh kanë ndodhur e që janë të vërtetuara me dokumente që vetë Serbia i ka bërë ato krime ose çështje tjera dhe t'i mveshë ty”, ka thënë Shala.
Ai ka shtuar se ndaj kësaj çasje të Serbisë dhe Rusisë, Kosova nuk ka përgjigje.
“Ne sot merremi me atë se cila parti politike do t'i fitoj zgjedhjet politike, cila e para apo cila e dyta, kush ka për ta marrë presidentin dhe në fund të shkojmë në zgjedhje. Edhe po të shkojmë në zgjedhje të njëjtin problem kemi me pasë, në vazhdimësi do të përsëritet i njëjti problem. Unë mendoj që në këtë drejtim po punojnë edhe shtetet që nuk ia duan të mirën Kosovës që në fund, pas një periudhe të gjatë edhe aleatët tanë strategjikë lodhen dikur, dhe do të na ulin në tavolinë, që të na paraqesin përpara një plan dhe të thonë 'Zotëri më s'mund të merremi më me juve'”, ka thënë Shala. /RTKLive/























