Cënimi i gjuhës amtare në Procedurë Penale, cënim i Konventës Evropiane
Përdorimi i gjuhës zyrtare në Kosovë po shkilet nga GjS, sepse deri më tani në aktakuzat e ngritura nga Prokuroria e GjS nuk është përdorur gjuha shqipe, por anglishtja, prandaj kjo përbën shkelje të Kushtetutës së vendit.
Kështu deklaroi Artan Qerkini, avokat, në emisionin “Studio e hapur” në RTK.
Tutje ai sqaroi se përdorimi i gjuhës në proceduart gjyqësore, sikundër ajo me procedurë penale etj., garantohet edhe me Kushtetutë dhe me Konventë Evropiane, prandaj këtë parim, përdorimi i gjuhës në procedurë penale, e konsideroj si një prej parimeve fundamentale të procedurës, sepse të akuzuarve duhet t’u mundësohet që gjykimin ta përcjellin në gjuhën që e kuptojnë, t’u mundësohet përkthimi i të gjitha provave që janë në dispozicion të prokurorisë, në mënyrë që ata të kenë mundësi ta përgatisin mbrojtjen e tyre.
“Edhe pse është bërë marrëveshje që gjuha e punës të jetë gjuha angleze, por duhet kujtuar se kjo gjykatë është gjykatë e Kosovës dhe të gjitha provat duhet të dorëzohen në gjuhë amtare”, shtoi avokati Qerkini.
Më tej ai shtoi se nëse cënohet ky parim atëherë mund të konstatohet se ky gjykim nuk ka qenë i drejtë, sepse është parim fundamental, sikurse që është parimi i barazisë, parimi i kontradiktoritetit, ku palës së kundërt i jepet mundësia që t’i komentojë provat e kundërshtarit.
Veç tjerash avokati Qerkini bëri të ditur se deri më tani kemi parë se në web-faqen e GjS të gjitha parashtresast e palëve, vendimet gjyqësore për rastet penale, janë publikuar vetëm në gjuhën angleze, përveç 20% të materialeve janë në gjuhë amtare.
Avokati Qerkini, ndër të tjera, u ndal edhe për rastin Gucati, që, sipas tij, ai vendim ishte i padrejtë, sepse në raste të tilla do të mund të mbrohej edhe në liri, si masë alternative, prandaj ai konsideroi vendimin e panelit të Gjykatës së Apelit si befasuese, duke u bazuar në peshën e aktakuzës dhe vetëdorëzimit të tij në gjykatë.RTKLive























