Konfirmohet aktakuza kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt
BKT
Lajme

Konfirmohet aktakuza kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër krerëve të OVL të UÇK-së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, për siç thuhet, ‘vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës’.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Gjykata Speciale përmes një komunikate për media sipas së cilës paraqitja e parë e Haradinajt si i akuzuar do të mbahet të martën, 15 dhjetor 2020, në orën 15:00, ndërsa paraqitja e parë e Gucatit si i akuzuar do të mbahet të premten, 18 dhjetor, në orën 11:00.

Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Paraqitja e parë e Haradinaj si i dyshuar u mbajt më 29 shtator 2020 dhe paraqitja e parë e Gucati si i dyshuar u mbajt më 1 tetor 2020. Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe tani fillon faza e procedurës paraprake të çështjes së tyre, duke nisur me paraqitjet e tyre të para. 


MË SHUME NGA Lajme