Aliu: Do të pamundësojmë prezencën e Driton Selmanajt në Kuvend
Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka thënë se do ta pamundësojnë mbajtjen e seancës së Kuvendit nëse sërish do të shkojë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj aty.
Aliu ka thënë se aty duhet të jetë kryeministri Avdullah Hoti për të dhënë llogari dhe duhet të mungojë zëvendësi i tij, njofton Klan Kosova.
“Selmanaj konsideron që çështja e të pagjeturve është ezuaruar dhe madje ka deklaruar se është lodhur me këtë çështje”.
Deputeti i VV-së shtoi se Selmanaj shkoi me vetëdije në sallë duke e ditur paralajmërimin e tyre se do të kundërshtojnë prezencën e tij.
“Hoti duhet të vijë në seancën e re dhe të ballafaqohet për Ujmanin. Por, nëse vjen Selmanaj ata e dinë reagimin tonë, ata e dinë me çka do të ballafaqohen. Zgjidhja është të vazhdojë seanca pa Driton Selmanajn. Derisa të jetë Selmanaj në sallë do të ketë reagim nga Grupi Parlamentar i VV-së. Ne do të qëndrojmë aty dhe do ta pamundësojmë mbajtjen e seancës”.























