“Udhëve” sjell rrëfimin ekskluziv të personit të përdhunuar gjatë luftës

“Udhëve” sjell rrëfimin ekskluziv të personit të përdhunuar gjatë luftës

Emisioni "Udhëve" sjell intervistën ekskluzive me një burrë të përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Ky burrë, tash jeton në Diasporë, por në kohën kur kishte ndodhur krimi ai ende nuk i kishte mbushur 16-vjet. Për rastin e tij ai për herë të parë në jetë foli për emisionin "Udhëve" në RTK, teksa inkurajon të gjithë ata që kanë përjetuar gjëra të tilla nga serbët gjatë luftës që t`i dëshmojnë ato.

Intervista e plotë e realizuar nga redaktorja përgjegjëse e emisionit “Udhëve”, Ramize Murtezi-Shala:

Ju keni thënë se keni një histori lufte për të na treguar dhe kjo është hera e parë që flisni publikisht për një media. A mund të na tregoni saktësisht se çfarë ju ka ndodhur gjatë luftës?

Po. Ka qenë viti 1998, përafërsisht ishte muaji shtator ose tetorit, nuk jam i sigurt, thjesht e di që gjethet kanë filluar të binin dhe ka qenë kohë me shi. Atë ditë na kanë rrethuar të gjithë fshatin dhe u flitke me na pushkatu të gjithëve. Ka qenë një ditë vërtet e vështirë, ishte hera e parë në jetën time që kisha parë fëmijë që mbanin bukë me sheqer në duar duke ngrënë ashtu, ndërsa një pjesë e saj po binte, fëmijë 2-3 vjeç. Pas kësaj ata vendosën të na lirojnë, ku për më pak se një orë u zbraz i gjithë fshati, me traktorë, automjete çfarëdo që gjetën vetëm për të dalë nga aty. Nga atje u vendosëm në mal, atje kemi nejt dy ditë dhe mbas dy dite unë me një familjar temin jemi nis për Prishtinë këmbë.

Pse u nisët për Prishtinë?

Për shkak se një i afërm i joni ishte plagosur dhe ka qenë në spital. Ne u nisëm me shku me vizitu. Kemi ecë diku 40 minuta ose për një orë, nuk jam i sigurt. Deri në hyrje të Sllatinës, aty është desht me u nda për shkak se ka qenë patrulla e policisë dhe ushtarët e vendosur në Sllatinë. Personi që ka qenë me mua ka qenë më i rritur, unë kam qenë më i ri në moshë por edhe fizikisht më i dobët. Vazhdova të eci vetë në Sllatinë, dhe ata dolën atje në kryqëzim dhe më pyetën në gjuhën serbe "ku po shkon", unë u thashë  se po shkoj në Prishtinë. Më pyetën cila është arsyeja, u thashë se po shkoj në shkollë, sepse kisha frikë t'u tregoja se një nga të afërmit e mi ishte plagosur. Pastaj ata më pyetën nga po vini, përsëri në gjuhën serbe, u thashë atyre nga ku, dhe ata më morën dhe më dërguan në Postë, në rrugën për në Prishtinë. Ata më vendosën atje në një dhomë, ishte një dhomë mjaft e madhe, nuk mund të them sa por dukej si një sallë. Aty ishte një tavolinë dhe ata filluan torturat atje, unë rezistova aq sa munda, ata më hoqën rrobat me forcë, kisha një këmishë të kuqe, e shqyen dhe gjithçka derisa i hoqën të gjitha. Kanë qenë 5 persona përafërsisht, me sa mbaj mend, unë rezistova aq sa munda. Gjithmonë mbaj mend një fytyrë të njërit prej tyre dhe nuk mund ta harroj, ai kishte një kapelë në të cilën nuk di si ta shpjegoj, me një shirit përpara dhe syzet me dioptri. Ai është personi që unë gjithmonë kujtoj fytyrën e tij, ata ishin të gjithë të dhunshëm, por nganjëherë dhuna ndryshon. Ai ishte më i dhunshmi. Thjesht, ata më përdhunuan seksualisht.

Sa vjeç ishe atëherë?

Unë isha 16 vjeç, nuk jam i sigurt nëse kisha arritur 16 vjeç, mbase 16 vjeç, por fizikisht isha i dobët dhe ka qenë problem me mi dhanë më shumë se 13 vjet.

RTK: Çfarë ndodhi më pas?

Ishte një torturë e vërtetë, pasi njëri prej tyre po më mbante për flokë, dy prej tyre më mbanin për duar, po flas për kohën sa  isha akoma me vetëdije, dhe ata më përdhunuan me radhë, të gjithë . Kështu ka qenë. Pas kësaj mbaj mend që djersitesha shumë dhe djersa ime po shkonte nga balli dhe fytyra në gojën time. Ata përveç se më mbanin më provokonin me thikë, në fytyrë, trup. Kanë fol shqip, e di që tre prej tyre kanë qenë të zi në fytyrë, masanej fjalë dhe sharje të ndryshme; qenka i i virgjër, fjalë të ndryshme, unë po flas për kohën ndërsa isha akoma me vetëdije. Ata kishin një aparat fotografik, dhe unë e di që ata bënë foto me mua, por unë fillova të bëhem i turbullt, jam i mpirë, nuk mund të ndjeja më asgjë, nuk pashë  më dhe nuk kuptoja me, por e di që blici i kamerës ka bërë tërë kohën.

Ata më dogjën me një cigare në trup, i kam përafërsisht tri-katër shenja në trup që ende vërehen në pjesën e sipërme të trupit tim, kam shenjë në ballë kur ata mbanin majën e thikës, kur ata bënin foto, e kam një shenjë që është e dukshme, e kam një shenjë në mjekër e cila është mjaft e dukshme, një torturë e vërtetë mund të them, për mua kanë qenë 200 orë, por afërsisht ishin 2 orë që ata më kanë mbajtur brenda, derisa më hodhën nga atje si një leckë dhe më dëbuan. Nga aty kam filluar të eci në trotuar, e kam kaluar urën në Dobrevë nëse nuk gaboj, në hyrje të Fushe Kosovës nga stacioni, para se të arrija në Fushe Kosova ishte një autobus që i përkiste KEK-ut, unë u futa në autobusi për Prishtinën por askush nuk do të më përshëndeste as asgjë. Isha i gjakosur, kam zbrit në Prishtinë në Dardani dhe personi i parë që e kam takuar i kërkova ndihmë, ai më pyeti se çfarë kishte ndodhur dhe unë i thashë se më kishin rrahur, nuk i tregova dhe prej aty më dërgoi te Xhamia e Llapit, kanë qenë disa zyre atje për personat e zhvendosur nga vatrat e luftës, atje u kam treguar se e kam një familjar që ka ik ma herët me gruan dhe fëmijët e tij, dhe prej aty më dërguan në Vranjevc.

Pastaj?

Pastaj u vendosa atje. Ishte një telefon, sepse atje ku ishte vendosur familja ime kishte një telefon, dhe unë thirra nënën time dhe i thashë gjithçka dhe ajo ishte personi i vetëm që i ka ditur gjithçka çfarë kishte ndodhur. Unë vazhdoj të jetoj akoma, vazhdova jetën time dhe mbarova shkollën në Kosovë, megjithëse ka vite që nuk jetoj më atje, pavarësisht se u përpoqa të ndërtoj një jetë, por nuk mund të vazhdoj më tej. Derisa kam qenë në shkollë në Prishtinë, sa herë që merrja autobusin për t'u kthyer në shtëpi, ishte një vend që më kujtoi shumë gjëra, dhe shumë herë isha i detyruar të merrja një autobus në kahje tjetër për të mos kaluar përsëri nga ajo rrugë.

A keni kërkuar ndihmë pas luftës?
Jo, asnjëherë sepse ishte diçka për të cilën kam menduar për një kohë shumë të gjatë por nuk isha në gjendje, e mendova shumë herë por nuk isha në gjendje.

Çfarë ndodhi që keni vendosur të flisni sot, pas një kohe kaq të gjatë?

Ka shumë arsye që më kanë bërë të flas tani, që nga mosha 35 vjeç është diçka me të cilën kam jetuar faktikisht gjithë me të, diçka që ka ndikuar në kualitetin e jetës time, kam shumë probleme shëndetësore, kam probleme me zorrën e trashë, kam probleme me këmbët, kam dhimbje në këmbë kur ndryshon moti, dhe shumë herë kur e vendosi fëmijën tim në gjumë, fëmija im më pyeti shumë herë: "Babi pse je duke tundur këmbën gjatë gjithë kohës, a mund ta ndalë”. Nga mosha ime 35 vjeçare çdo herë që bëhet gjithnjë e më e vështirë, është diçka me të cilën unë jetoj çdo ditë. Normalisht kam momente të lumtura edhe unë dhe të bukura natyrisht si të gjithë të tjerët, por sa herë që kam ato momente gjithnjë e kujtoj atë dhe humori ndryshon gjithçka shkon në zero.

Pra, cila është arsyeja më e madhe që ju bëri të flisni sot, pas një kohe kaq të gjatë?

Një nga arsyet më të mëdha që më bëri të flas sot në lidhje me gjërat që kam përjetuar, janë arrestimet e fundit që ndodhën në Kosovë, sepse unë i njoh ata që më bënë gjëra në Sllatinë, ato sigurisht që janë të lirë sot dhe unë jam shumë sigurisht që janë të lirë diku në Kosovë, mbase në pjesën veriore. Jam i sigurt se rastet si unë janë me mijëra, por deri më sot nuk e di që është dënuar ndonjë kriminel. Kjo është njëra prej arsyeve që më shtyri sot të dëshmoj.

A mund të më thuash diçka në fund, a ka diçka që dëshiron ta kërkosh nga shteti yt - Kosova, diçka që do të bënte të ndihesh më mirë por edhe viktimat e tjera të luftës që janë si ju realisht?

Mesazhi im do të ishte ky: E di që ka shumë të tjerë si rasti im në Kosovë, përafërsisht për aq sa kam dëgjuar ka 20.000 burra dhe gra të dhunuara, pastaj ka të tjerë që u plagosën dhe shumë të vrarë, dhe të gjithë dëmet materiale që janë bërë... Fatkeqësisht sot mua po më duhet ta mbuloj fytyrën sepse kam një jetë, e kam një familje dhe nuk do të doja që kjo të ndikonte në kualitetin e jetës së tyre ashtu si ndikoi tek e imja. Vetëm unë që çfarë kam në zemër dhe veç unë e di si e shtyj. Me siguri kur të vijë koha, dhe këtë po ua them të gjithëve për me dëshmu, unë do të jem pa maskë për të dëshmuar. Atje do t'ua tregoj fytyrën time, atje do të zhvishem, nuk ka me pas turp dhe do t'ua tregoj edhe plagët e mia. Nga shteti im pres vetëm të mos ik diçka më shumë. Nuk pres kushedi se çka, por të paktën e pres një përkrahje dhe të arrij aty ku po dua. Të gjithë ata që kanë kaluar nëpër këto gjëra si unë, është momenti i fundit, mbase jo momenti i fundit, por momenti i duhur, sot ose kurrë, gjeni një mënyrë dhe dilni të dëshmoni.

Shumë faleminderit për besimin tuaj për ndarjen e këtij rrëfimi jo vetëm me Televizionin e Kosovës ose me ne personalisht, por me të gjithë qytetarët e Kosovës që do ta dëgjojnë atë.

 

 


MË SHUME NGA Aktuale