Ish-ambasadori Kiçmari: Me Bidenin president, Kosova ka përparësi
Viti i kaluar ka qenë plot me ngjarje dinamike në politikën kosovare. Sabri Kiçmari, ish-ambasador ka folur për politikën e jashtme të Kosovës në ‘Balkan Talks’ .
“Ka një ndërthurje të drejtpërdrejtë të dy politikave, asaj të brendshme dhe të asaj të jashtme. Politika e brendshme është reflektuar dhe te ajo e jashtme”,-shprehet Kiçmari.
Gjatë një interviste Grenell, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se z. Kurti ka tendenca të forta antiamerikane por sipas Kiçmari kjo nuk është e vërtetë.
“Përkundrazi unë e njoh prej shumë vitesh zotin Kurti dhe ai i njeh shumë mirë Shtetet e Bashkuara si në politikë ashtu dhe zhvillimet historike. Kurti ka një linjë socialdemokrate, por nuk është shfrytëzuar në marrëdhëniet me SHBA-në “, thotë tutje për Euronews ish-ambasadori kosovar.
Sigurisht që ai e sheh si diçka shumë pozitive për Kosovën zgjedhjen e Biden në krye të ShBA-ve.
“Është përparësi për Kosovën që Biden është president pasi njeh shumë mirë Kosovën dhe e ka mbështetur në çdo hap”,-rrëfen Kiçmari.
Kosova do shkojë në zgjedhje parlamentare brenda muajit shkurt dhe Kicmari tregon platformën që do ndjek Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk besoj se do ketë ndryshime në politikën e jashtme. Do të vazhdojë bashkëpunimi me Merkel dhe Macron ashtu si dhe ka ndodhur”,-tregon Kiçmari.























