Një muaj paraburgim personit që plagosi tre persona në Pejë
BKT
Lajme

Një muaj paraburgim personit që plagosi tre persona në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka marr vendim që t’i caktohet masa e paraburgimit prej 1 muajsh Melos Rrustemi.

Ky i fundit, me datën 2 janar të këtij viti, kishte plagosur tre persona në Pejë. 

Komunikata e plotë e Gjykatës Themelore të Pejës:

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit M.RR, për shkak të dyshimit të bazuar se :

Me datë 02.01.2021, rreth orës 21:02 minuta, në Pejë, mu para shtëpisë së të dëmtuarve, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe të atëçastshme mes të pandehurit dhe të dëmtuarve SH.D, A.D dhe F.D, i pandehuri ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin A.D, në atë mënyrë që pasi që vjen deri te fjalosja dhe përleshja mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, i pandehuri në një moment nxjerr pistoletën nga brezi dhe shtie në drejtim të dëmtuarve duke iu shkaktuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën, e pastaj largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime i pandehuri M.RR dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje e mbetur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par.3 lidhur me par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do të dëgjohen tre të dëmtuarit e pas shikimit të video incizimit eventualisht mund të dëgjohet edhe ndonjë dëshmitar që ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në drejtim të ndryshimit të deklaratave të tyre, e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës. Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe me faktin se me gjetjen e të pandehurit në liri, ka arsye për të besuar se i njëjti mund të asgjësojë, fshehë apo të ndryshojë provat e veprës penale. Gjithashtu, pesha e veprave të kryera penale, mënyra dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale në qendër të qytetit ku frekuentohet nga një numër i madh i njerëzve si dhe raportet e acaruara mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përfundoj veprën e tentuar penale apo të kryej ndonjë vepër të natyrës së njëjtë.

Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.


MË SHUME NGA Lajme