Galaktika e Andromedës – hullia e pamundësisë

Galaktika e Andromedës – hullia e pamundësisë

Autor: Ballsor Hoxha (Film me skenar dhe regji të More Raça)

Në një nga skenat e filmit Andromeda, babai Shpëtim Guri (Sunaj Raça), e pyet vajzën e tij Zana (Elda Jashari) e cila jeton në strehimore të fëmijëve:

A e di çka? Deshta me të vetë për këto... Galaktika e Andromedës?!... A ke ni? - e pyet babai vajzën e tij.

Po. - përgjigjet ajo

Çka osht? - e pyet babai

Është një galaktikë e përafërt me galaktikën në të cilën jetojmë - përgjigjet vajza.

Pyetja e babait Shpëtimit, dhe plani i tij për t’ia treguar informatën për Galaktikën e Andromedës vajzës së tij është diçka që ai ka arritur të thurë në përpjekjen e tij mohikane për të mbijetuar. Është një gjë që do t’ia dhurojë vajzës së tij – të shikojnë bashkë, dhe të zbulojnë bashkë Andromedën. Në të vërtetë është dëshira e babait për t’ia bërë dhuratë vajzës së tij një kujtim të përbashkët. E kjo është krejt çka i ka mbetur. Është krejt çka nuk është shitur në këtë botë, nuk është monetarizuar, dhe me këtë nuk është bërë e paarritshme për babain (Sunaj Raça).

Por vajza e di, vajza lexon shumë, vajza e ka të ditur Andromedën.

Aq më shumë, plani i Shpëtimit, babait, është i huazuar nga një grua që luan rolin e një prostitute (Juli Emiri) me të cilën takohet here pas here, dhe më tutje gjatë filmit vazhdon të punojë për atë për mbijetesë . Është huazim i një njeriu i cili është në fund të mundësisë së ekzistencës nga një njeri që është jashtë ndër – njerëzores së mundshme. Plani i Shpëtimit për vajzën e tij, për të zbuluar Andromedën është vetë historia e prostitutës me babain e vet, gjë të cilën e kanë bërë në fëmijërinë e saj dhe e ka të vetmin kujtim me babain e saj.

Në të vërtetë njohja e Shpëtimit me gruan (Juli Emiri) lind derisa Shpëtimi e takon atë si klient i saj në prostitucion. Shpëtimi i cili ka vajzën në qendër të fëmijëve të strehuar, dhe gruan e vdekur, 52 vjeç, për herë të parë është përballë një prostitute, përballë një gruaje në të vërtetë, pas shumë kohe. Ai – Sunaj Raça, është në tërë mrekullinë e aktrimit, i turpëruar, i qetë në thyerjen e kodit të tij të moralit, është i pafjalë dhe i kujdesshëm dhe me respekt ndaj prostitutës. Përballë kemi gruan e cila është e zhveshur “siç e ka falë zoti” në një pozicion krejtësisht të natyrshëm dhe të rehatshëm.

Në të vërtetë simbolikisht krijohet përballja e këtij burri me gruan, burri është përballë gruas, e cila në të vërtetë është si në skenë, si në aktrimin e saj brilant, dhe po ashtu në simbolikë mbi tërë realen e ekzistencës, mbi tërë ndër – njerëzoren e egër të kontekstit. Është edhe e përjashtuar por edhe mbizotëruese e po të njëjtës, pikërisht me “amoralitetin” e saj, pikërisht me të qenit e përjashtuar, të qenit e pa kusht ndaj po kësaj ndër – njerëzoreje.

Shpëtim Guri, sytë gjithnjë gjysmë të mbyllur, tërhequr brenda diku në dhembjen e tij tët ë qenit, shpeshherë kokën paksa anash sikur ka shtytje të pyetet çka është duke ndodhur, por pa asnjë pyetje, pa asnjë revoltë, pa asnjë shenjë ku mund të revoltohet, pa asnjë mallkim apo edhe vetë kritikë, karakteri i Shpëtim Gurit (Sunaj Raça) është një aktrim tejet i thellë dhe i arrirë, ndaj të cilit jemi përballë tërë kohën e filmit, derisa ai vozitë, derisa ai flet me vajzën e tij, dhe vetëm në takimet e tij me gruan prostitutë, më nuk jemi përballë tij, por jemi përballë saj, derisa ai humb në tërë njerëzinë e tij.

Shpëtim Guri është karakter i cili mishëron të përhumbjen e njeriut në të pandjeshmen e njeriut, shtjelluar përbrenda të pandjeshmes së kontekstit dhe fatit të tij. I cili ka humbur çfarëdo pyetje rrugës dhe edhe çfarëdo vullneti për të kërkuar një kuptim në tërë këtë mes, në tërë atë që jetëson me pamundësinë e të qenit të tij. Apo është aq me përvojë sa që nuk bën pyetje, sepse e di se asnjë pyetje nuk do të gjej përgjigjen e saj, dhe aq më shumë është ekzistencë ku pyetja është lidhje, e lidhja dhembje e pamundësisë.

Kur ai humbet, anash vajzës së tij, të cilën e viziton në qendrën e strehimit, duke luajtur basketboll, duke dëgjuar koncert, duke banuar në rulon (kamp-shtëpizën) e improvizuar për banim ndërmjet të dyve; dhe kur ai është përballë gruas prostitutë, i humbur, ai nuk ka shumë fjalë, fjalët janë të kota, ato lidhin dhe përkujtojnë mundësinë që duhet ta ketë por nuk e ka, jo vetëm ai por asnjëri.

Në këto dy perspektiva regjisoriale të More Raçës, derisa jemi përballë Shpëtim Gurit 52 vjeç të vdekur të gjallë; dhe në humbjen e tij përballë gruas prostitutë, dhe anash vajzës së tij, ne gjithnjë jemi me atë. Raça krijon shprehjen e saj regjisoriale duke na vënë herë përballë Shpëtimit dhe herë të tjera duke e përhumbur atë diku në ndërdijen/ndërgjegjen tonë, në të vërtetë. Regjia tejet e kujdesshme (conspicuous) dhe e paikshme, në përballjen tonë me Shpëtimin derisa shpesh mbanë kokën paksa anash sikur i shtytur për t’u pyetur por i pa pyetje, është regji e cila krijon edhe intimitetin edhe minimalistiken e të ndjerit të kësaj gjendje ekzistenciale të këtij kosovari 52 vjeç i cili nuk ka ku të shkoj, dhe në këtë ne nuk kemi ku të ikim prej tij, është vetë fytyra e kosovarit përballë nesh, e mbetur, e ndodhur, para nesh.

Regjia e Moresë krijon përjetimin e një hullie të mbijetesës në jetën e Shpëtim Gurit 52 vjeç në Kosovë, i cili në tëhuajsimin e tij prej pamundësisë së qeniesimit arrin në vetë Andromedën, fqinjësinë e njerëzores, si i mbetur jashtë qeniesimit, dhe me këtë çdo gjë në jetën e tij, nën regjinë e Raçës është e distancuar nga vetja, është e pandjeshme dhe e paarritshme, është jetë e cila në ngadalësinë e saj, si të regjisë, dhe po ashtu edhe të skenarit, hyjnë brenda lëkurës sonë duke na e bërë të kthjelltë dhe të paikshme pamundësinë e të qenit në Kosovë, së paku për një personazh si Shpëtim Guri.

Në këtë hulli, ai braktisë çdo gjë, deri në vendin dhe bubrekun e tij, për një mundësi, e cila është po aq e pajetësueshme dhe po aq e largët sa edhe Andromeda, galaktika vetë.

Filmi Galaktika e Andromedës është edhe realizëm e edhe metaforë e ikjes së jetës ndër duart tona, largimit të përjetimit nga vetë familja, dhe nga gjërat që e bëjnë jetën. Vajza Zana e shikon Shpëtimin dhe e jeton jetën e përbashkët, në rastet e takimeve të tyre jashtë strehimores dhe po ashtu edhe në rulon e tyre, si jetë me një njeri të afërt por dhe të largët deri në mosnjohje. Gruaja prostitutë nuk mund ta vizitojë nënën e saj në vdekje e sipër. Dhe Shpëtimi nuk arrin të sigurojë një jetë të përbashkët me vajzën e tij.

Në këtë hulli të të qenit i braktisur dhe të braktisjes së jetës, për një jetë të largët sa edhe Galaktika e Andromedës, Shpëtim Guri dhe vajza e tij Zana nisen për në Hungari, me bubrekun e shitur për të paguar udhëtimin, e në mes tyre është një papagall në kafazin e tij. Sytë gjysmë të mbyllur, tërhequr prapa në mekanizmin mbrojtës të tij, Shpëtimi, sikur ndonjëherë ndien njerëzinë e shtypur nga pamundësia, sikur ngjallet nga shpresa për mundësi, shikohet nga vajza e tij si një qenie e cila përmban në vete, të pa folur, të pashprehur, të tërhequr brenda vetes thellë diku në dhembjen e të qenit. Ai nuk flet, ndien diku larg, prej prezencës së vajzës së tij, prej prezencës së dhembjes në qytetin e tij, prej prezencës së pamundësisë në njerëzit me të cilët jeton në të njëjtin vend. Dhe krejt pa dashur, për një moment, kthen kokën kah qyteti, në udhëtim e sipër, krejt papritmas vetëdijesohet për qytetin, për atë që është, për atë që ishte, që më nuk do të jetë. Është sikur dy qenie, qyteti dhe Shpëtim Guri 52 vjeç, jetojnë në largësinë e pamundshme të njërit ndaj tjetrit, të huaj, të paarritshëm.

Në filmin Andromeda jeta është e zhveshur në ekzistenciale, në ankthin e të qenit, përballë të të qenit të – hedhur – në pakthim në qeniesimin tonë dhe enuncimi i regjisë së Raçës është një kthim, në Kujdes, në marrje të historisë sonë dhe fatit tonë në duart tona përbrenda këtij qeniesimi i cili është i pandjeshëm ndaj çdo gjë njerëzoreje, dhe atë duke e pranuar vetë historinë/fatin tonë si qeniesim të ndodhur pikërisht në fqinjësi, pikërisht përhumbur në fiqnjësi ndaj vetes, ndaj tjetrit, ndaj qytetit. Është shtjellim/hulli tatëpjetë dezintegrimit të shoqërores nën akthin e mbijetesës.

Në të vërtetë i tërë filmi, përballë Shpëtim Gurit 52 vjeç i pa të ardhme dhe me këtë i vdekur i gjallë, është enuncim kinematografik i revoltës së qenies, duke u shtjelluar nëpër stratat e pamundësisë, duke u zhveshur në pandjeshmëri, në humbje të njerëzores, me afërsinë, apo ndër – njerëzoren si diçka të shtypur diku thellë përbrenda mekanizmit tonë mbrojtës, aty ku na ruan dhembja.


MË SHUME NGA Kulturë