Edhe AAK-ja me artistë në listë

Edhe AAK-ja me artistë në listë

Erzen Vala është piktori që i është bashkuar listës së AAK-së për deputet. Ai ka diplomuar në pikturë dhe magjistruar në grafikë. Pjesëmarrës në shumë ekspozita dhe inicues i themelimit të Galerisë së Arteve në Gjakovë, Vala ka bërë karrierë edhe në arsim.

“Mësimi i arteve në shkolla duhet të jetë argëtim, në mënyrë që nxënësit ta ndjejnë këtë kohë edhe si relaks dhe kjo ndihmon që interesimi për arte të mbetet i lartë”, thotë ai.  Erzen Vala është kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ në Gjakovë dhe zëvendësdrejtor në Sh.F.M.U “Zekeria Rexha”, po në Gjakovë.

Vala thotë se qëllimi i angazhimit të tij në politikë është pikërisht dëshira për të kontribuar në këto dy fusha.

“Arsimi duhet të bëhet tema kryesore e shoqërisë sonë”, tha ai.

Sipas Valës pa një arsim të zhvilluar dhe të planifikuar mirë, nuk mund të synojmë të ndjekim hapin e zhvillimeve në botën perëndimore. Ndërsa sa i përket kulturës ai thotë që është e domosdoshme sikurse pushimi pas një pune të gjatë.

Erzen Vala mban numrin 91 në listën e AAK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa nuk është artisti i vetëm në këtë listë.

Edhe Avdi Gërvalla vjen në këtë listë nga bota e artit. Ai ka mbaruar fakultetin dhe magjistraturën në degën e aktrimit dhe ka luajtur në dhjetëra shfaqje dhe në filma.

Ndërsa Rrezofat Azemi ka lindur në mërgim, por është kthyer në Kosovë ku vepron si dizajnere e modës.

Inkuadrimi i artistëve në politikë nuk është diçka e re as tek ne e as në botë. Kontributi i tyre në politikë ka qenë shpeshherë determinant.